Mesazhi i Papës për Ditën e Paqes. Kardinali Turkson: respektimi i lirisë fetare do
të thotë të mbrohet dinjiteti i njeriut
Të enjten e kaluar, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit Mesazhi i
Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes 2011, me temë “Liria fetare, rrugë
për paqen”. Është shenjë e impenjimit të jashtëzakonshëm të Kishës Katolike në mbrojtje
të lirisë së fesë, e drejtë, që ka të bëjë me njeriun dhe dinjitetin e tij. Ndër të
pranishmit, gjatë paraqitjes së mesazhit, ishte edhe kryetari i Këshillit Papnor për
Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Koduo Apiah Turkson, i cili vuri në dukje se cilët
janë sot, armiqtë e fesë, duke filluar nga fanatizmi, tek fondamentalizmi e laicizmi. “Ushtrimi
i së drejtës për liri fetare si rrugë për paqen përfshin njohjen e harmonisë ndërmjet
dy fushave dhe dy formave të jetës: asaj private dhe asaj publike, të individit e
të bashkësisë. Shteti duhet ta mbrojë lirinë e fesë, pasi ajo është pjesë e njeriut”. “Liria
fetare – shkruan Papa në Mesazh – është armë e vërtetë për paqen, me një mision historik
e profetik…Ajo vlerëson dhe bën të japin fryte cilësitë e mundësitë më të brendshme
të njeriut, të afta ta ndryshojnë e ta përmirësojnë botën”. E më tej: “Liria fetare
na lejon të kemi shpresë për një të ardhme në drejtësi e në paqe, edhe para padrejtësive
të rënda e mjerimit material e moral. Uroj – përfundon Benedikti XVI – që të gjithë
njerëzit dhe shoqëritë e çdo niveli, në çdo kënd të Tokës të mund ta provojnë sa më
shpejt lirinë e fesë, rrugë për paqen”.