2010-12-18 12:08:45

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të Ardhjes ‘C’


Zotin e gjejmë në jetë e jo në ide!
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të lexojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes që paraprijnë dhe përgatit festën e Krishtlindjes, tashmë tek porta.
Të nderuar miq e dashamirë kudo që ndodheni, vetëm edhe disa ditë na ndajnë nga NATA e Shenjtë e LINDJES SE KRISHTIT, nga festa e Përqafimit të Zotit me njerëzimin, nga festa e Emanuelit - Zotit me ne! E të presësh kremtimin e ardhjes së Dikujt do të thotë të përgatitesh që kur të vijë çasti ti dalësh para me gëzim për ta pranuar e përqafuar.
Në këtë perspektivë përgatitjeje e kremtimit të Ardhjes së Zotit ndër ne, këtë të diele të 4-të e të fundit të kohës liturgjike të Ardhjes, na ndihmon shembulli i dy grave, protagoniste të pjesës së Ungjillit të kësaj së diele: Maria dhe Elizabeta, të dyja vegla të mira e inteligjente të Zotërisë së Jetës.
Dy nënat takohen secila duke bartur në vete jetën e zënë në mënyrë të jashtëzakonshme e të papritur, jashtë logjikës biologjike e asaj njerëzore. Dy histori të ndryshme të bashkuara nga plani i hartuar mjeshtërisht nga dora e heshtur e Provanisë Hyjnore për shëlbimin e njerëzimit e që bën kështu të takohen dy Foshnjat ende në kraharorin e nënave të veta: Jezusi në kraharorin e Marisë e Gjon Pagëzuesi në atë të Elizabetës. Ky takim është simbol e parashijim i takimit të vërtetë të Zotit me njerëzimin, që shpreh dhe kumton festa e Krishtlindjes. Kjo e kremte na paraqet edhe një herë ngjarjen absolutisht, më të rëndësishme të historisë së botës, do të thotë ardhjen e Zotit mbi tokë, në kohë e në histori të njerëzimit. Në Betlehem Zoti na tregon vendin dhe kushtet e takimit me Të: nëse nuk kthehemi me zemër në shpirtin, frymën e atmosferën e Betlehemit, mbesim pambarimisht në anën e Herodit e të armiqve të Zotit. Zgjedhja e Betlehemit është zgjedhje që Zoti na propozon në grazhdin e shpellës së Betlehemit: këtu Zoti zgjedhë e përqafon përvujtërinë, përcaktohet e zgjedhë vendin e fundit: kjo është përgjigjja ndaj mendjemadhësisë e krenarisë së njeriut; Zoti zgjedhë varfërinë: kjo është përgjigjja e Tij ndaj urisë sonë për pasurim të pakufishëm e të paskrupullt; në Betlehemi Zoti zgjedhë butësinë: kjo është përgjigjja e Tij ndaj dhunës e intolerancës sonë.
I fuqishmi i vërtetë është i durueshëm; Ai që vërtetë është i fortë është i butë: durimi e butësia janë forca që e mposhtin dhunën. Këtë na garanton Zoti, këtë na pohon Krishtlindja.
LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 7, 10-14)

Bashkësia e Izraelit është e shkurajuar. Prej shumë kohësh i ka kërkuar Hyjit të ndërhyjë, por Ai nuk ka dhënë ndonjë shenjë ndihme.
Mbreti Akaz nuk ka shpresë në ndihmën hyjnore dhe kërkon të bëjë besëlidhje me popujt e afërt, por profeti e di se Hyji do të ndërhyjë dhe paralajmëron e shpall një shenjë të jashtëzakonshme: lindja e një fëmije do të shprehë praninë e Hyjit mes njerëzve.
Kisha rinjeh në këtë profeci amësinë hyjnore të Marisë.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: “Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”
Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”
Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim? Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!”

Fjala e Zotit

Psalmi 24 (23)
Ref:
Ja, po vjen Zoti, mbreti i lavdisë.
_______________

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
_____________________________

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk betohet në rrenë.
_____________________________

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
_____________________________

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!
Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 1, 1-17)

Pali prezanton misterin e Krishtit në dy kohë të vazhdueshme.
Së pari njeriun Jezus, birin e Davidit një njeri të varfër dhe të panjohur duke pasur paraardhës ashtu si çdo njeri tjetër.
Së dyti e prezanton të Ringjallurin, jeta mbinatyrore e të cilit është vet jeta e Hyjit.
Të gjithë ne, të dashur prej Hyjit, shërbëtorë të Krishtit, bëjmë pjesë në këtë plan të Atit Qiellor që të bëhemi të shenjtë në Jezu Krishtin për t’i shpallur botës besimin.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit - të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e Shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt pas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit: të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve: Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.

Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjisin emrin Emanuel
– që do të thotë: Hyji me ne!
Aleluja.

Ungjilli (Mt 1, 18-24)
Jezu Krishti do të lind nga Maria, nusja e Jozefit, preh fisit të Davidit. Hyji thërret edhe Jozefin për të bashkëpunuar në mishërimin e Birit të Hyjit, duke marr detyrën për të përfshirë ligjërisht Jezusin në familjen e Davidit.
Mishërimi ndodh me bashkëpunimin e njerëzve. Në kundërshtim me mbretin Akaz, Jozefi pranon shenjën e fëmijës, lindur nga Virgjëra duke shpërfillur çdo frikë dhe rrezik

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”
E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit: “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel - që do të thotë: Hyji me ne!”
Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet.
Fjala e Zotit







All the contents on this site are copyrighted ©.