2010-12-18 13:17:03

Imzot Antonin Fishta në përvjetorin e vdekjes


(17.12.2010 RV)Ipeshkvi i shquar shqiptar Imzot Antonin Fishta lindi në Shkodër, më 13 prill 1902. Ndjeu shpejt thirrjen rregulltare, që e shtyu të hynte në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Kreu mësimet fillore e të mesme në Shkodër e Troshan, për ta vijuar përgatitjen në vise të ndryshme françeskane të Italisë. U shugurua meshtar në moshën 25 vjeçare, më 14 gusht 1927 dhe filloi shërbimin si profesor në Liceun "Illyricum" të Shkodrës. Më pas qe dërguar famullitar në Abat të Shalës, në Dukagjin. Që nga viti 1948 mbajti vendin si i deleguar ipeshkvnor në Pult. Më 1956, në rrethanat dramatike të presionit të diktaturës për shkëputjen e Kishës Katolike në Shqipëri nga Selia Apostolike, u emërua ipeshkëv i Pultit, duke zëvendësuar kështu ipeshkvin e fundit që kishte mbetur gjallë pas kërdisë së diktaturës mbi hierarkinë katolike, Imzot Bernardin Shllakun, vdekur në nëntor të vitit 1956.
Kjo ngjiste pak kohë pas bisedës së Mehmet Shehut me Imzot Shllakun. Mehmet Shehu e pati thirrur Imzot Bernardinin në Kryeministri dhe i pati bërë propozimin për emërimin e katër ipeshkvijve të rinj. Selia e Shenjtë nuk emëroi asnjërin prej tyre, por zgjodhi, ajo vetë, dy të tjerë: Imzot Ernest Çobën, për kryeipeshkvinë e Shkodrës dhe Imzot Pjetër Demën, për kryeipeshkvinë e Durrësit. Më vonë, me propozimin e Imzot Çobës, Selia e Shenjtë emëroi dhe dy ipeshkvij të tjerë. Njëri ishte Imzot Antonin Fishta, tjetri - Imzot Nikollë Troshani, shuguruar në prill të vitit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Durrësit, në vend të Imzot Pjetër Demës që kishte vdekur.
Imzot Antonini u shugurua më 25. 04. 1957 ipeshkëv ordinar i Pultit në Katedralen e Shkodrës nga Imzot Ernest Çoba. Selinë Ipeshkvnore e pati përkohësisht në Abat, ku vazhdoi të kryejë edhe detyrën e famullitarit, derisa u mbyllën kishat e edhe ai vetë u mbyll në shtëpinë e të afërmve në Shkodër, ku edhe vdiq më 17 dhjetor 1956, për t'u varrosur në Rrëmaj në heshtje të plotë.
Mbeti në kujtesën e besimtarëve si bir i vërtetë i Shën Françeskut. Me trup vigan, me këmbët e zbathura dimër-verë, mbathur vetëm me sandalet e thjeshta françeskane, ai dukej sikur nuk ecte, por fluturonte. Me atë çap u ngjitej maleve të thepisura e po me atë ecte ndërmjet bankave të shkollës, kur jepte mësim. Kishte pamjen e fratit-malësor.
U shqua jo vetëm për shërbimin meshtarak e ipeshkvnor, që ishte misioni i tij kryesor, por edhe si muzikant, historian, poet. Shkroi disa shqyrtime dhe studime historike si: "Ma i pari frat në Shqypní" (1930); "Skanderbegu e françeskajt" (1930); Emzot Luigj Çiurçija " (1931); " Doktor Milan Sufflay ndër shkrime të veta" (1931); "Njëzet e pesë vjetori i Kongresit të Manastirit" (1933). Interes të veçantë paraqesin edhe biografitë e shkruara prej tij për Filip Shirokën (1935), Dom Ndre Mjedën (1937) e historianin Theodor Ippen (1935).Si poet u bë i njohur me poemën "Fatosave", botuar më 1912; si studiues i gjuhës, me studimin kushtuar Atë Françesk Rosit dhe shkrimeve të tij; si rrëfimtar, me portretin "Tribuni i Traboinit , Dedë Gjo' Luli" (1937) dhe me shumë artikuj të tjerë botuar te "Hylli i Dritës". Askush nuk ka menduar deri më sot t'i mbledhë në një këto shkrime, të cilat nuk e kanë humbur vlerën as aktualitetin. Mbeten gjithnjë të shpërndara, duke pritur një dorë të zellshme, që do t'ia kthejë kulturës shqiptare frytin e pendës së Imzot Antonin Fishtës së madh, që kaloi gjithë jetën në shërbim të Fesë e të Atdheut mes bjeshkëve vigane të Veriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.