2010-12-18 15:26:30

Ambasadori Kosovës në Rom: skandaloz raporti i Dik Marti


AMBASADA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË ROMË
Komunikatë për Shtyp
Siç jeni në dijeni, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, po përballen edhe një herë me një propagandë qëllimkeqe, që ka si objekt denoncimi, projektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Për më tepër, qëllimi i përgjithshëm i kësaj fushate është dëmtimi i imazhit ndërkombëtar të Kosovës.
Raporti skandaloz i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një tekst i mbushur me shpifje dhe gënjeshtra, të cilat janë riciklim i propagandës së vazhdueshme të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Akuzat monstruoze që përmban raporti i Dik Martit nuk i bëjnë nder asnjë individi që angazhohet për të vërtetën dhe për drejtësinë.
Pretendimet inkriminuese të përfshira në raportin e Dik Martit janë hetuar tashmë disa herë nga institucionet kredibile të drejtësisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Tribunalin e Hagës, UNMIK-un dhe së fundmi, EULEX-in. Në të gjitha rastet, është dëshmuar se nuk ka asnjë bazë për akuzat e përfolura.
Kërkojmë nga Dik Marti që të gjitha faktet dhe dëshmitë që pretendon se i ka, t’i dorëzojë tek organet kompetente të drejtësisë për të ndihmuar procesin hetimor.
E gjithë bota e di e se në Kosovë kanë ndodhur krime të tmerrshme për vite të tëra, që kanë kulmuar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Por, po ashtu, e gjithë bota e di se kush ka qenë agresori dhe kush ka qenë viktima në Kosovë.
Tendencat për ta ndryshuar historinë dhe realitetin, dhe për të barazuar agresorët dhe viktimat janë të pamoralshme, të padrejta dhe pa dyshim do të dështojnë.
Qytetarët e Kosovës kanë sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot. Me mijëra gra dhe burra të ndershëm të vendit tonë kanë dhënë jetën për lirinë tonë.
Qytetarët e Kosovës janë pjesë e Evropës, janë pjesë e botës së qytetëruar dhe nuk janë pjesë e mentaliteteve primitive fisnore dhe klanore, siç i ka përshkruar Dik Marti.
Në asnjë vend post konfliktuoz drejtësia nuk ka qenë më e menaxhuar nga prezenca ndërkombëtare, se sa në Kosovë. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet shembulli më i mire i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojmë punën tonë për të ndërtuar një shtet demokratik, të zhvilluar dhe të dinjitetshëm – Kosovën Evropiane, me të cilin janë krenar të gjithë qytetarët tanë dhe miqtë tanë të shumtë ndërkombëtar.
Romë, 17.12.2010







All the contents on this site are copyrighted ©.