2010-12-17 16:57:39

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Amshimi dhe njeriu modern.


Po vijojmë sot meditimin me amshimin, parë me syrin e njeriut modern.
Ç’ ndodhi me idenë e krishterimit për jetën e amshuar, pasi ngadhënjeu mbi idenë pagane të “errësirës së verbër pas vdekjes”? Në ndryshim nga kohët në të cilat jetojmë, kur ateizmi mohon sidomos ekzistencën e një Krijuesi, në shekullin XIX pati nisur të mohonte pikërisht jetën e përtejme. Të krishterët nisen të shikohen me sy tallës, si njerëz që i ruajnë për qiell, energjitë që duhen t’i shkrinin këtu, mbi tokë. Duke u shkëputur, kështu, nga përpjekja e domosdoshme për ta shndërruar jetën tokësore. Atëherë, në shoqërinë materialiste, ideja e vijimit të jetës në Hyjin, nisi të zëvendësohet me idenë e mbijetesës në specien e në shoqërinë e së ardhmes. Vdes një njeri – po jo shoqëria njerëzore. Shuhet një, por jo bota - pohohet. Nisi, kështu, dyshimi e, më pas, edhe sulmi për ta shlyer nga fjalori aktiv fjalën amshim. Kështu kjo fjalë dalëngadalë po zbehet e po zhduket nga e përditshmja e njeriut materialist. Konsumizmi e thelloi më tej këtë zbehje, duke u përpjekur të fshijë çdo gjurmë të ëndrrës së ringjalljes e duke e shikuar këtë fjalë si të padenjë për t’u besuar nga njerëzit e pendës. Kjo atmosferë ndikoi e vijon të ndikojë negativisht edhe mbi besimtarët, që nisin ta fshehin në shpirtin e tyre idenë e amshimit. Aq më tepër se edhe në kisha kjo fjalë nisi të dëgjohet gjithnjë më rrallë, kryesisht kur thuhet Atyna: “Besoj në të ngjallurit e të vdekurve e në jetën e pasosur”.
Kështu shoqëria konsumistike, që konsumon ç’ti nxjerrësh para, nuk dëshiron ta konsumojë më pikërisht këtë ide, e cila duhet të jetë në bazë të jetës, ta shndërrojë atë. Atyre, që nuk besojnë në ngjalljen e të vdekurve, Shën Pali u kujton: “Ç’ është jeta, pa këtë besim? Hamë, pijmë, vdesim!” (2 Cor 15,32). Por s’ ka njeri në rrjedhë shekujsh që të mos e ketë pasur thellë në zemër, dëshirën për të jetuar në amshim. Të mos e ketë kërkuar rrugën, që të çon drejt një jete më të mirë, pa perëndim. E ç’vlerë ka të jetosh mirë, kur nuk jeton përgjithmonë? Gjithçka, veç amshimit, është kalimtare, e kotë. Njerëzimi pa Zot, është një turmë zërash, pa jehonë. Fjala e tij, gjëmë e pakëputur, që kur zbriti në varr njeriu i parë e deri më sot! E vetmja përgjigje me vlerë, që i jepet njeriut të trembur që në djep nga varri, është besimi në përjetësinë, në mishërimin e Zotit, në Krishtin. Me të amshimi hyri në kohë, duke u bërë shpresë e prani. Kush beson në Krishtin, ka jetën e pasosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.