2010-12-17 19:09:58

Sot Kisha katolike kremtoi festën e Shën Danielit Profet


(17.12.2010 RV)Danieli, i fundmi i profetëve që njihen si ‘të mëdhenj’, mendohet të ketë lindur në Jeruzalem në një familje fisnike hebreje, ndoshta në farefisni me mbretërit e Judës. U internua në Babiloni ndërmjet viteve 606-605 para Krishtit. Këtu, së bashku me tre djelmosha të tjerë, të tre fisnikë judenj: Anania, Azaria e Misaeli, u zgjodh për të shërbyer në oborrin e mbretit, ku gëzoi poste të larta zyrtare. Falë mençurisë e drejtësisë së tij e bëri për vete mbretin aq, sa u emërua Princ i Babilonisë e prefekt mbi gjithë të urtit e mbretërisë.
Gjykimi i parë i drejtë i tij, ishte ai që i bëri Suzanës përballë tre pleqëve imoralë, të cilët donin ta dënonin, sepse nuk u ishte nënshtruar dëshirave të tyre të flligështa.
Vjen, pastaj, dënimi, së bashku me tre shokët, pas padisë së babilonezëve se nuk pranonte të adhuronte shtatoren e mbretit. Flakja në furrën e ndezur. E shpëtimi i mrekullueshëm nga engjëjt. Shpella e luanëve, pastaj, prej nga del fare i pacënuar. E shpjegimi i fjalëve enigmatike “Mane’ Thekel, Phares”, gjatë një gostie të zëvendës-mbretit, në të cilën dhunoheshin enët e Tempullit të Jeruzalemit, orgji që e ndaloi vetë dora e Zotit me shkrimin e zjarrtë të shenjave të pakuptueshme në murin e sallës, ku talleshin gostiarët. Danieli i lexoi dhe i shpjegoi. Paralajmëronin fundin e Baltazarit e të mbretërisë së tij, vendim që u zbatua po atë natë, me fitoren e perandorisë persiane mbi atë babiloneze (538).
U dallua në gjirin e oborrit edhe si njeri, që dinte të shpjegonte ëndrrat, e si gjykatës i drejtë. Gjatë jetës, pati një mori vegimesh tronditëse. E dëshmoi përmes shenjave të jashtëzakonshme emrin e Hyjit të judenjve që, falë tij, u njoh me dekret mbretëror si Hyji i vetëm e i vërtetë, i aftë për të shpëtuar ata, që besonin në të. Danieli, që mbeti gjallë pas shembjes së perandorisë së re babiloneze (539-38), të cilën e kishte paralajmuar gjatë vegimit, arriti të shikonte edhe vitet e para të perandorisë persiane, para se të vdiste, në pleqëri të shtyrë. Përkujtohet më 17 dhjetor, së bashku me tre shenjtorët e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër: Ananinë, Azarinë e Misaelin.







All the contents on this site are copyrighted ©.