2010-12-17 16:57:22

Selia e Shenjtë: shkelje serioze të lirisë fetare në Kinë


(17.12.2010 RV)Selia e Shenjtë, me dhimbje të thellë, dënon mënyrën si u zhvillua Asambleja VIII e përfaqësuesve katolikë kinezë, mbajtur në Pekin nga 7 deri më 9 dhjetor 2010, me pjesëmarrjen e detyruar të një numri të madh ipeshkvijsh, meshtarësh, rregulltarësh, rregulltaresh e besimtarësh laikë. Kështu pohohet sot në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit.

Mënyra si u thirr dhe si u zhvillua Asambleja - nënvizohet në Komunikatë – flasin për ndalimin e ushtrimit të lirisë fetare, pengesë që besohej se ishte kapërcyer tashmë në Kinën e sotme. Përpjekja këmbëngulëse për të kontrolluar sferën më intime të nënshtetasve, siç është ndërgjegjja e tyre, e për të ndërhyrë në jetën e brendshme të Kishës Katolike, nuk e nderon aspak Kinën, përkundrazi - vijon nota vatikanase - na duket se tregon më shumë frikë e ligështi, sesa forcë; intolerancë të papajtueshme, më shumë sesa dëshirë për ta respektuar lirinë fetare dhe dinjitetin e njeriut si dhe për ta dalluar sferën civile nga ajo fetare. Disa herë Selia e Shenjtë u bëri të ditur, edhe publikisht, në radhë të parë barinjve, por edhe të gjithë besimtarëve, se nuk duhet të merrnin pjesë në këtë ngjarje. Të gjithë ata, që ishin të pranishëm - nënvizohet në komunikatë – e dinë mirë në ç’masë janë përgjegjës para Zotit e para Kishës. Ipeshkvijtë sidomos, por edhe meshtarët, kanë përgjegjësi të veçantë, duke pasur parasysh se bashkësitë shikojnë ç’bën bariu e kanë të drejtë të ecin pas tij, me bindje se u prin në udhë të drejtë, në jetën fetare e morale.

Selia e Shenjtë denoncon faktin se shumë ipeshkvij e meshtarë u detyruan me forcë të marrin pjesë në Asamble: e ky është dhunim i rëndë i të drejtave të tyre njerëzore e, në mënyrë të posaçme, i lirisë së fesë e të ndërgjegjes. Njëkohësisht Selia e Shenjtë u shpreh vlerësimin e thellë atyre që, në mënyra të ndryshme, me pendesë e me vepra, ripohuan vullnetin për të ndjekur me dashuri Krishtin, në bashkim të plotë me Kishën Universale. Besimtarët, që ndryjnë në zemër pakënaqësi e vuajtje, në sa pyesin veten si është e mundur që ipeshkvi e meshtarët e tyre morën pjesë në asamble, Selia e Shenjtë i porosit të vijojnë qëndrimin e tyre të patundur e durimtar në fe; i fton të mos i harrojnë presionet e pësuara nga shumë prej barinjve të tyre e të luten për ta; i nxit të mos ua mohojnë ndihmën, por t’i mbështesin me guxim përballë diktatit të padrejtë, që detyrohen të përballojnë gjatë ushtrimit të misionit të tyre.

Gjatë Asamblesë u zgjodhën edhe udhëheqësit e të ashtuquajturës “Konferencë Ipeshkvnore” si dhe të “Shoqatës Patriotike Katolike Kineze”. Komunikata kujton se Selia e Shenjtë nuk e njeh “Kolegjin aktual të Ipeshkvijve Katolikë të Kinës” si Konferencë Ipeshkvnore të Selisë Apostolike; në të nuk bëjnë pjesë ipeshkvijtë ‘klandestinë’, domethënë prelatët që nuk njihen nga qeveria, të gjithë në bashkim me Papën; ndërsa përfshin ipeshkvij të paligjshëm e bazohet mbi Statute, që përmbajnë elemente të papajtueshme me doktrinën katolike. Është thellësisht i dënueshëm edhe fakti – pohohet – që për të drejtuar Asamblenë, u caktua pikërisht një ipeshkëv jo i ligjshëm. E përsa i përket qëllimeve të deklaruara “për zbatimin e parimeve të pavarësisë dhe të autonomisë, të vetdrejtimit e të vetmbarështimit demokratik të Kishës”, komunikata kujton se “kjo është e papajtueshme me doktrinën katolike e cila, që nga simbolet e lashta të fesë, e shpall Kishën “ një të vetme, shenjte, katolike e apostolike”. Quhet, prandaj, i dënueshëm edhe caktimi i një ipeshkvi të ligjshëm për të udhëhequr “Shoqatën Patriotike Katolike Kineze”. Për Selinë e Shenjtë, nuk është kjo udha në të cilën duhet të ecë Kisha e një vendi të madh e të fisëm, që po tërheq vëmendjen e opinionit publik botëror për sukseset e arritura në fusha të ndryshme, por që nuk po e gjen ende rrugën për sigurimin e lirisë së vërtetë fetare, të cilën, në Kushtetutën e vendit, zotohet ta mbrojë. Asambleja e bën edhe më të vështirë ecjen në rrugën e pajtimit ndërmjet katolikëve të ‘bashkësive klandestine’ e ‘bashkësive zyrtare’, duke i hapur një plagë të thellë jo vetëm Kishës në Kinë, por edhe Kishës Universale.

Selia e Shenjtë shqetësohet thellësisht për faktin se mbledhja e kësaj asambleje, ashtu si edhe shugurimi ipeshkvnor i kohëve të fundit pa mandatin papnor, dëmtuan njëanshmërisht dialogun dhe atmosferën e besimit, që ishin krijuar në marrëdhëniet me qeverinë e Republikës Popullore Kineze. Ndërsa ripohon vullnetin e saj për të dialoguar ndershmërisht, Selia Apostolike e ndjen për detyrë të saktësojë se veprime të papranueshme dhe armiqësore si këto, shkaktojnë në zemrat e besimtarëve, brenda e jashtë Kinës, një humbje të rëndë të atij besimi, pa të cilin nuk mund të mendohet të të kapërcehen vështirësitë e të krijohen marrëdhënie të drejta me Kishën, në dobi të së mirës së përbashkët.
Në dritën e këtyre ngjarjeve – përfundon nota e Vatikanit – mbetet urgjente ftesa drejtuar nga Papa të gjithë katolikëve të botës, më 1 dhjetorin e kaluar, të luten për Kishën në Kinë, që po jeton çaste vërtet të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.