2010-12-17 16:03:51

Në Kosovë zgjedhjet do të përsëriten në 5 komuna më 9 janar


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi për anulimin e votimeve në Drenas, Skënderaj, Deçan, në një qendër votimi në Lipjan dhe një tjetër në Malishevë. Kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, tha se ky vendim mbështet në dëshmitë e dorëzuara nga partitë politike që dokumentojnë shkelje të mëdha gjatë procesit të votimit. Me qëllim që zgjedhjet të jenë korrekte e demokratike, si dhe të evidentohen parregullsitë e dilemat eventuale, PZAP i ka urdhëruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë votimin sipas dispozitave ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas këtij urdhri, miratoi vendimin që në këto 5 komuna, më 9 janar, të përsëriten votimet. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se vendimi për përsëritjen e votimit në 5 komuna është marrë pas vendimit të PZAP it, dhe raportit të QNR së për parregullsi.
"Në bazë të vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP it), me të cilin është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ ja) që të ndërrohen komisionarët e qendrave të votimit, ne gjithsesi do ta procedojmë të gjithë materialin, me emrat të komisioneve e personave, të cilët kanë qenë atë ditë në ato qendra të votimit dhe i tërë ky material do të dërgohet në Prokuroritë përkatëse", ka bërë të ditur Daka.
Nga ana tjetër, anëtari i KQZ së, Blerim Burjani, përfaqësues nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kundërshtuar vendimin e PZAP it, duke e cilësuar atë si të pabazë kur është bërë krahasimi i komunës së Skënderajt e Drenasit me atë të Deçanit. Mirëpo, kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, theksoi se të gjitha vendimet janë marrë në bazë të fakteve dhe dëshmive shtesë. Kryetarja e KQZ së, Valdete Daka, tha se me kohë do të bëhen përgatitjet për të gjitha komunat që do të shkojnë në përsëritjen e votimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.