2010-12-16 15:32:59

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Në kërkim të amshimit.


Në botën e lashtë sundonte mendimi se jeta përfundon me vdekjen. Janë të njohura fjalët, që perandori Adrian ia drejtoi vetvetes, pak para se të niste zbritjen e madhe, në angrrat e dheut, pa kthim e pa shpresë, siç besohej asokohe:

“Shpirt i vogël i humbur, i ëmbël,
Ti shok e mik i korpit.
Tani po zbret në vise
pa ngjyrë e pa blerim
përplot me thepa.
Nga shtëpia e re,
te amza e korpit të kalbur,
ku nuk ka fare gëzim.
Një çast, ende të lutem.
T’i shikojmë bashkë
përsëri këto brigje blu,
aq fort të shtrenjta.
Të gjitha sendet,
që aq i deshëm;
sa s’jemi kapë ende
te gryka e varrit,
ku dheu shprishet mbi fytyrë
e sos çdo gjë!

Prej këtij sfondi jehon fort kumti i krishterë i jetës së përtej varrit, aq i dëshiruar nga njerëzit e të gjitha kohëve, që nga bota e lashtë, kur ngushëllimi për një jetë pa mort ishte ende vetëm ëndërr.

“Nuk them se e meritojmë jetën e amshuar... them se kemi nevojë për të, pavarësisht në se e meritojmë ose jo... Them se jeta që kaloj nuk më kënaq, se kam etje për përjetësi, se pa të, gjithçka është fare pa kuptim. Kam nevojë! Kam shumë nevojë! Pa të, jeta s’ka gëzim. Madje s’ka asgjë të re për të më thënë. Tepër e lehtë të pohosh: Jeto ashtu si të vijë, kënaqu me jetën, ashtu si të rrjedhë. E si t’ia bëj unë i varfëri, që nuk kënaqem me kaq?”.
Nuk janë mendime të ndonjë njeriu të lashtë, këto që pasojnë shkrimin e Perandorit romak. Autori i tyre është Miguel de Unamuno1, që sigurisht nuk ishte mbrojtës i fesë.
Malli, dëshira e përjetës, e shtyn njeriun të kthehet i kulluar atje, kah ishte nisë. E, po deshi, mund ta endë me besim, virtyte e vepra të mira, petkun e bardhë të kthimit.

1 Miguel Unamuno (Bilbao, 29 shtator 1864 – Salamankë, 31 dhjetor 1936): poet, filozof, shkrimtar, dramaturg e politikan spanjoll.







All the contents on this site are copyrighted ©.