2010-12-16 15:32:38

Çelësi i fjalëve të Kishës: Fjala e Zotit


(16.12.2010 RV)Të dashur dëgjues, sot, Papa Benedikti XVI u takua me të rinjtë universitarë. Në leximet e marra nga Shkrimi i Shenjtë, çasti kur mund të marrë pjesë krejt populli është ai, që vjen, pasi lexuesi thotë “Fjala e Zotit”. Por ç’është “Fjala e Zotit” e pse jemi të sigurtë se është pikërisht fjala e të Gjithpushtetshmit? E pse duhet ta ndjekim?

Të dyja Besëlidhjet, si e Reja, ashtu edhe e Vjetra, hapen me fjalën hyjnore, që thyen heshtjen e plotë: “Në fillim…Hyji tha: “Le të bëhet drita!” Dhe drita u bë” (Zan 1,1.3); “Në fillim ishte Fjala… Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë” (Gjn 1,1.3). Fjala e Zotit pra, është para së gjithash në zanafillën e të krijuarit, siç këndon edhe pslamisti: “Prej Fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së Tij, çdo trup qiellor… Sepse Ai foli – gjithçka u bë, ai urdhëroi – gjithçka u përftua!” (Ps 33,6.9). Ekziston një fjalë hyjnore për të gjithë njerëzit, një zbulesë kozmike dhe universale: “Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të Tij!” (Ps 19,2-5).
Por, Fjala e Zotit është edhe në bazën e historisë: ajo e gjykon dhe e mban atë, e interpreton dhe e orienton kah shëlbimi. Kjo shihet sidomos në përvojën e malit Sinai, nga i cili zbret fjala transhendente, që do të bëhet udhëheqje për Izraelin gjatë historisë dhe ekzistencës së tij, siç do të jetë edhe për çdo besimtar. Kështu sugjeron ajo këngë e pamatë e fjalës hyjnore, që është psalmi 119: “Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia” (rr. 105). Moisiu i kujton Izraelit se mbi Sinai “Prej mesit të zjarrit ju foli Zoti: tingullin e fjalëve e dëgjuat, por trajtën e folësit nuk e patë” (Lp 4,12)
Themelore është edhe përvoja e profetëve, zëdhënësit e fjalës hyjnore, që hyn thellë në ngjarjet politike, shoqërore dhe personale për t’i gjykuar e shëlbuar: “A s’janë zjarr vallë fjalët e mia – është Fjala e Zotit – a s’janë maj që thërmon qetën?” (Jer 23,29). Imazhi që përdoret, megjithëse tepër i fortë, e ekzalton Fjalën e Zotit, siç do të bëhet më vonë edhe në Besëlidhjen e Re: “Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh” (Heb 4,12). Është fjalë që ngushëllon e shpëton, është “më e ëmbël se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë” (Ps 19,11; 119,103). Ashtu si shiu, që e bën tokën pjellore dhe bën të lulëzojnë bimët, “kështu edhe fjala ime, që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen” (Is 55,10-11).
Por maja e zbulimit të kësaj Fjale është në mishërimin e Jezu Krishtit, në Lajmin e Mirë të krishterë. Referimi për këtë është pa dyshim teksti që i prin Ungjillit të shën Gjonit. Aty shfaqet Logos, fjala e vërtetë, përvijuar në hyjninë e saj, por edhe në “personin” e saj, në Birin e Hyjit, Jezu Krishtin. Në kryeveprën e famshme të tij “Fausti”, poeti gjerman Gëte i jep të gjitha kuptimet e mundshme asaj Fjale: Wort – fjalë; Kraft – pushtet; Sinn-domethënie; Tat – akt. Përqëndrohet pastaj në termin “Logos” – Fjala, ku përmblidhet ekzistenca dhe pushteti hyjnor.
Por ja kthesa e madhe: “E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne” (1,14): Fjala/Biri i Zotit hyri në histori, u bë njeri, gjuhë, ekzistencë. Kjo Fjalë hyjnore shndërrohet edhe në fjalët konkrete të zbulesës, që shpall Krishti e apostujt e tij. Fjalë konkrete, që u fiksuan më pas në letër. Lind kështu Bibla, ose Shkrimi i Shenjtë, i cili e ruan në kohë mundësinë e asaj Fjale për të dhënë fryte. Është pikërisht kjo arsyeja, që thirrja kryesore për Kishën, është ajo e shën Palit Apostull: “Predikoje fjalën!” (2 Tm 4,2), pasi “i tërë Shkrimi Shenjt, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi” (3,16). E kjo është edhe arsyeja se pse duhet ta dëgjojmë e ta ndjekim.







All the contents on this site are copyrighted ©.