2010-12-16 17:31:43

Shqipëri: Laurens e konsideron liberalizimin e vizave si nxitje për reforma të brendshme


Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Çështjeve Demokratike dhe Politike të Këshillit të Evropës, Jean-Louis Laurens, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto deklaroi se liberalizimi i vizave është shprehje e besimit dhe vlerësimit të procesit të reformave të brendshme në Shqipëri në fushën e sigurisë së kufijve, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të jashtëligjshme.
Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë bëri të ditur se, gjatë këtij takimi z. Laurens përgëzoi Haxhinaston për përfundimin me sukses të procesit të liberalizimit të vizave.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët për Shqipërinë dhe KE-në, duke ndarë mendimin se Shqipëria, 15 vjet pas anëtarësimit në KE, është partnere dhe kontribuese e denjë e vlerave themelore të kësaj organizate.
Gjithashtu, u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, në funksion të paqes dhe stabilitetit, si dhe veprimtaria e Shkollës Politike shqiptare të KE-së.
Kreu i diplomacisë shqiptare ripërsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare për përfundimin në kohë të reformës zgjedhore, duke theksuar se angazhimi i opozitës në këtë proces është tregues i rëndësishëm i vërtetësisë së kërkesave të saj.
"Reforma zgjedhore, duhet të garantojë barazinë e konkurrimit dhe të votës", nënvizoi Haxhinasto.
Duke u ndalur tek raporti i Raporterit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Dick Marty, ministri shqiptar rikujtoi se në vitin 2004 Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova.
Haxhinasto vuri në dukje se një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë dhe maturitetit që përçon Këshilli i Evropës.
Ministri shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv mes Shqipërisë dhe KE-së, duke qenë se kërkesat politike afatshkurtra dhe afatmesme për integrimin evropian të vendit përputhen gjerësisht me angazhimet dhe detyrimet tona kundrejt KE-së në fushën e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. (nga ATSH.ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.