2010-12-16 15:32:23

Papa pret në Vatikan luteranët. Pas pesëqind vjetësh, katolikët dhe luteranët janë afruar më tepër me njëri-tjetrin.


(16.12.2010 RV)Ekumenizmi i jep mundësi të reja katolikët dhe luteranëve për të dëshmuar Ungjillin. Kështu iu drejtua, me pak fjalë, Papa Racinger kryetarit të Federatës Luterane Botërore Imzot Munib Junan, pritur në audiencë bashkë me një delegacion sot paradite në Vatikan. Në fjalimin e vet Benedikti XVI kujtoi edhe rëndësinë e “Deklaratës së Përbashkët mbi Doktrinën e Justifikimit”, nënshkruar para 11 vjetësh, duke e quajtur një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë të të krishterëve:

“Miq luteranë”, i drejtua Papa të pranishëmve, e vetë këto fjalë i dhanë një kuptim të posaçëm fjalimit të tij. Benedikti XVI kujtoi shpresat e shprehura në fillim të Papnisë së tij, kur pati uruar që “lidhjet dhe dialogu intensiv” të vazhdojnë e t’i pasurojnë marrëdhëniet ekumenike mes katolikëve dhe luteranëve. Sot vërejmë me shumë kënaqësi frytet shumë domethënëse të diskutimeve dypalëshe që vazhdojnë prej disa dhjetëvjeçarësh, tha Papa:

“Me ndihmën e Zotit – vazhdoi Benedikti XVI, qe e mundur, ngadalë dhe me durim, t’i kapërcejmë pengesat dhe t’i përkrahim lidhjet e dukshme të bashkimit nëpërmjet dialogut teologjik dhe bashkëpunimit praktik, veçanërisht në nivel bashkësish vendore”.
Më tej Ati i Shenjtë kujtoi edhe “Deklaratën e Përbashkët mbi Doktrinën e Justifikimit”, e cila vitin e kaluar mbushi dhjetë vjet. Një dokument ky, pohoi Papa, që vlerësohet si një hap domethënës gjatë shtegtimit të vështirë për ribashkimin e të krishterëve dhe një shtytje e mëtejshme për diskutime të tjera ekumenike.

“Shpresoj – shtoi Papa – që veprimtari të tilla ekumenike do t’iu japin mundësi të reja katolikët dhe luteranëve të rriten së bashku në jetë, në dëshmimin e Ungjillit dhe në përpjekjen për ta çuar dritën e Krishtit në të gjitha shtresat e shoqërisë.” Në veçanti, Benedikti XVI iu drejtua Komisionit Ndërkombëtar Katoliko-luteran të Bashkimit i cili po punon mbi një tekst të përbashkët me temën: “Pagëzim dhe bashkim kishtar në rritje.”

Në përfundim, duke iu uruar të gjithë të pranishëmve Përshumë mot me paqë dhe gëzim Krishtlindjen, Papa Racinger ia besoj bashkimin e të krishterëve Zotit, që është risi e vërtetë që i tejkalon të gjitha parashikimet tona njerëzore.” përfundoi Ati i Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.