2010-12-16 16:34:14

Papa ambasadorëve të rinj të Nepalit, Zambies, Sejsheleve dhe Andorrës: shtetet të rizbulojnë vlerën e vëllazërimit


(16.12.2010 RV)“Leksion” mbi një parim, që shpesh lihet mënjanë e keqtrajtohet nga politika e diplomacia: vëllazërimi ndërmjet njerëzve. Kështu mund të konsiderohet pritja e sotme e Benediktit XVI me ambasadorët e Nepalit, të Zambies, të Sejsheleve dhe të Andorrës pranë Selisë së Shenjtë, të cilët paraqitën letrat kredenciale në Vatikan.
Lëvizja botërore në favor të Haitit, për një vit të tërë, ka treguar më shumë se të gjitha fjalët, marrë sëbashku, se nuk ekziston bashkësi e vërtetë ndërkombëtare, pa ndihmën ndërmjet kombeve. E megjithatë, vërejti Papa, rëndësia e vëllazërimit njerëzor në marrëdhëniet ndërmjet shteteve njihet pak dhe zbatohet edhe më pak. Fatkeqësisht, ky ideal:
“…ka pasur më pak rezonancë në zhvillimin e mendimit filozofik dhe politik në krahasim me ideale të tjera si liria, barazia, përparimi ose bashkimi. Kemi të bëjmë me një parim, që në shumicën e rasteve, ka mbetur në letër për shoqërinë politike moderne dhe bashkëkohore, sidomos për shkak të ndikimit të ideologjive individualiste ose kolektiviste”.
Për të jetuar me dinjitet, theksoi Papa, njerëzit kanë nevojë për respekt dhe për drejtësi. Por kjo nuk mjafton. Njeriu ka nevojë të ndjejë afër njerëz të tjerë, pra ka nevojë për vëllazërim. Por, nënvizoi Benedikti XVI, të shohim tek tjetri vëllain, nuk është proces racional:
“Arsyeja njerëzore është në gjendje të njohë barazinë e të gjithë njerëzve dhe nevojën për t’i kufizuar pabarazitë ndërmjet tyre, por nuk është në gjendje të perceptojë vëllazërimin. Ky i fundit është dhuratë e mbinatyrshme. Nga ana e saj, Kisha e sheh realizimin e vëllazërimit njerëzor mbi tokë si pjesë përbërëse e planit krijues të Zotit dhe, synon ta mishërojë gjithnjë e më besnikërisht, duke punuar si në nivelin universal, ashtu edhe në planin lokal, siç ndodh në vendet, që ju përfaqësoni pranë Selisë së Shenjtë”.
Vëllazërimi, respekti, ndihma, theksoi Papa, duhet të shfaqen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, përfshi atë ekonomike. Gjithçka ka njeriu, thotë Kisha, vjen nga një akt dashurie i Zotit. Kjo vetëdije nuk e zvogëlon fitoren e njeriut, por e çliron nga skllavëria e parë në histori, ajo e dëshirës për t’u krijuar nga vetvetja:
“Prandaj, Kishës nuk i lejohet të veprojë si ndonjë grup, i vëmendshëm vetëm ndaj interesave të veta, por ajo punon nën vështrimin e Atij, që është Krijuesi i të gjithë njerëzve, për të nderuar dinjitetin e secilit. Pra, ajo përpiqet të vendosë dashurinë e paqen në bazën e lidhjeve të shumta njerëzore ndërmjet personave, siç ka dashur Zoti me urtinë e Tij krijuese”.
Në përfundim të takimit, Papa u ndal në situatat e veçanta të vendeve afrikane, duke shkëmbyer me ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë, mendimet e tij për zgjidhjen e problemeve të çdo shteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.