Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes: t’i jepet fund dhunës e diskriminimit
kundër të krishterëve, grupi fetar më i persekutuar në botë
(16.12.2010 RV)U paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Mesazhi i Benediktit
XVI për Ditën e 44-t Botërore të paqes, e cila do të kremtohet më 1 janar 2011. Tema
e saj është “Liria fetare, rrugë për paqen”. Që në fillim, Papa vë në dukje se
edhe këtë vit, persekutimi, diskriminimi i të krishterëve, aktet e tmerrshme të dhunës
dhe të intolerancës fetare ndaj tyre kanë vazhduar. Përmend Irakun, por vëren se në
të gjithë botën, dishepujt e Krishtit nuk lihen të qetë. “Të krishterët – denoncon
Ati i Shenjtë – janë aktualisht, grupi fetar, që vuan nga numri më i madh i persekutimeve
për shkak të fesë”. Edhe në Perëndim, thekson Benedikti XVI, ka forma më të heshtura
e më të sofistikuara për të shprehur paragjykimet ndaj të krishterëve, duke u mohuar
atyre simbolet fetare dhe historinë, në të cilat pasqyrohet identiteti dhe kultura
e shumicës së qytetarëve. Kështu, besimtarët mënjanohen nga debati publik. Si fondamentalizmi,
ashtu edhe laicizmi ekstrem, kujton Papa, janë jo vetëm forma që refuzojnë pluralizmin
e ligjshëm të ideve, por japin edhe një këndvështrim të pjesshëm mbi njeriun. Por,
nënvizon Ati i Shenjtë, nuk mund të konceptohet një shoqëri, ku besimtarët duhet të
fshehin fenë, për t’u konsideruar qytetarë aktivë. Relativizmi moral, shpjegon Benedikti
XVI, nuk krijon bashkëjetesë paqësore, por shkakton ndarje dhe mohim të dinjitetit
të njeriut, prandaj përmasa publike e fesë duhet njohur nga institucionet shtetërore,
të cilat duhet të bashkëpunojnë për këtë, me ato fetare. E drejta për lirinë e
fesë, vazhdon më tej Papa, i ka rrënjët në dinjitetin e njeriut, natyra transhendentale
e të cilit nuk mund të injorohet. Prandaj, ajo është e para ndër të gjitha të drejtat
dhe kur mohohet, kërcënohen seriozisht drejtësia e paqja. Prandaj, çdo njeri duhet
të ketë të drejtë ta shpallë fenë e vet si publikisht, ashtu edhe privatisht e nuk
duhet të pengohet të ndryshojë fe, nëse dëshiron. “Liria fetare – lexohet në Mesazhin
për Ditën Botërore të Paqes 2011 – nuk është pasuri ekskluzive e besimtarëve, por
e krejt familjes së popujve të tokës. Është element i domosdoshëm i shtetit të së
drejtës dhe verifikon ekzistencën e lirive të tjera të njeriut”. Mbrojtja e fesë,
vazhdon Papa, bëhet përmes mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive të bashkësive fetare,
sidomos kur ato janë pakicë. Vetë Kisha është thellësisht e impenjuar në dialogun
ndërmjet feve, pa rënë në relativizëm, apo në sinkretizëm fetar. Benedikti XVI kujton
se vitin e ardhshëm bie 25-vjetori i Ditës Botërore të lutjes për paqen, që filloi
me Gjon Palin II në Asizi, në vitin 1986. Pikërisht në këto raste, krerët fetarë botërorë
kanë dëshmuar se feja është faktor bashkimi e paqeje. Pastaj, Ati i Shenjtë u bën
thirrje krerëve të kombeve, që të veprojnë për t’u dhënë fund persekutimeve kundër
të krishterëve. Benedikti XVI përmend në veçanti, gjendjen në Azi, në Afrikë, në Lindjen
e Mesme dhe sidomos në Tokën Shenjte. Nga ana tjetër, i fton të krishterët të mos
i përgjigjen dhunës me dhunë. Evropën e fton të rigjejë rrënjët e saj të krishtera
dhe bën të vetat fjalët e Palit VI, papës që filloi kremtimin e Ditëve Botërore të
paqes: “Paqja është dhuratë e Zotit, nuk është thjesht mungesë lufte, nuk është thjesht
fryt i mbizotërimit ushtarak ose ekonomik…Paqes i duhen dhënë armë të tjera e jo ato,
që kanë për qëllim të vrasin e të shfarosin njerëzimin. Para së gjithash, nevojiten
armët morale”. “Liria fetare – përfundon Benedikti XVI – është një armë e vërtetë
e paqes, me një mision historik e profetik, atë të ndryshimit e të përmirësimit të
botës”.