2010-12-16 18:00:55

Kryeministri Sali Berisha 15 dhjetori ditë e lirive dhe dinjitetit të shqiptarëve


Kryeministri Sali Berisha uroi dje qytetarët shqiptarë për hyrjen në fuqi të vendimit të liberalizimit të vizave, ndërsa e konsideroi 15 dhjetorin, "një nga ditët më të rëndësishme të dinjitetit, lirive dhe të drejtave të shqiptarëve".
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë së Tiranës përshëndeti këtë vendim historik, i cili sipas tij, u bë i mundur vetëm në sajë të reformave konkrete të ndërmarra nga qeveria.
"Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë punonjësit e administratës shtetërore dhe institucioneve të këtij shteti, që me punën dhe përkushtimin e tyre ia dolën të zbatojnë me sukses një tërësi reformash, me të cilat u shemb çdo paragjykim ndaj shqiptarëve dhe u bë i mundur vendimi për heqjen e vizave", tha Sali Berisha.
Kryeministri pranoi se ka pasur paragjykime nga disa vende evropiane për heqjen e vizave për shqiptarët, ndërsa vuri në dukje se nga zyrat kryesore të opozitës në Shqipëri qarkonin deklarata se eksode të reja do të nisnin, nëse BE hiqte vizat për qytetarët shqiptarë.
"Administrata dhe institucionet shtetërore bënë të mundur që edhe vendet më skeptike të votonin në datën 8 nëntor për heqjen e vizave për shqiptarët", tha Berisha.
Ai theksoi se "opozita bëri çdo gjë për të bllokuar procesin e heqjes së vizave dhe për t'i futur ato në kuti". Ndërsa autoritetet shqiptare, sipas kryeministrit, "vazhdimisht kanë kërkuar që ky proces të bazohej në meritë".
Vendimi për liberalizimin e vizave hyri dje 15 dhjetor në fuqi, duke i dhënë të drejtën gjithë qytetarëve shqiptarë të pajisur me pasaportë biometrike, që të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e hapësirës Shengen dhe të qëndrojnë atje për një periudhë 90 ditore nga data e hyrjes, brenda një afati kohor prej 180 ditësh.
Shqiptarët mund të lëvizin në hapësirën e Shengenit, që praktikisht janë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës si dhe mund të lëvizin në Zvicër, Norvegji dhe Islandë.







All the contents on this site are copyrighted ©.