2010-12-16 16:32:06

Dr. Stankoviq: Në "shtëpinë e verdhë", nuk ka pasur mundësi të bëhen transplantime


Duke folur për trafikimin me organe njerëzore, Prof. Dr. Zoran Stankoviq, specialist i mjekësisë ligjore nga Beogradi, thotë se në këtë punë duhet të marrin pjesë kirurgë të mirë, një ekip multidisiplinar me të paktën 50 njerëz.
"Shtëpia e verdhë, (Shqipëri) sa kam parë, nuk ka pasur mundësi që në të dikush të bëjë transplantime, por është shumë e mundshme që ky objekt të jetë shfrytëzuar si burg në të cilin janë mbajtur të zënit rob", ka thënë Stankoviq për shtypin serb. "Që transplantimi i organeve të jetë i suksesshëm, nevojiten kushte sterile për punë, pajisje dhe mjekë të stërvitur mirë. Para vetë ndërhyrjes duhet bërë tipizimi i organit".
Sipas Dr. Stankoviqit kur të nxirren të gjitha organet që mund të transplantohen, nevojitet një kohë për transportin e tyre. Kjo me siguri është kryer me avion, sepse transplantimi i organeve duhet të bëhet për disa orë. "Që organi të merret, trupi duhet të jetë në gjendje pa vetëdije duke dhënë sedativ, apo anestetikë', thekson ai.
"Janë iluzione se ata se pari janë vrarë, dhe të vdekur i kanë dërguar deri në vendin ku u janë marrë organet. Madje edhe kur bëhet fjalë për transplantime kadaverike, personi i tillë është në aparate. Ata me gjasë i kanë lënë njerëzit të vdesin". Sipas Stankoviqit, nëse i gjejnë varret, me obduksion mund të shihet vetëm nëse është nxjerrë zemra apo disa eshtra të ekstremiteteve. "Për shkak të procesit të kalbjes nuk ka inde të buta dhe është e pamundur të verifikohet se a janë nxjerrë veshkat, mëlçia". thotë Stankoviq për gazetën “Veçernje novosti”. (Nga Qendra për informim e Kosovës)







All the contents on this site are copyrighted ©.