2010-12-14 16:01:21

Ndërroi jetë në Uashington diplomati dhe miku i Kosovës Riçard Holbruk.


(14.12.2010 RV)RealAudioMP3 Një gjigand i vërtetë i politikës së jashtme amerikane. Kështu e përkufizoi presidenti amerikan politikanin Riçard Holbruk, që ndërroi jetë në Uashington në moshën 69-vjeçare pas një problemi në zemër. Diplomat i palodhur dhe shumë i aftë, Holbruk qe nismëtari i bisedimeve tepër të vështira që çuan pastaj në përfundimin e luftës në Bosnjë. Karriera e tij diplomatike filloi në vitin 1968 me negociatat për Vietnamin. Pastaj një varg detyrash me rëndësi deri e tek e fundit, vitin e kaluar, kur u emërua i dërguar i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin. Figurën e tij e analizon në mikrofonin tonë Paolo Mastrolilo, specialist i SHBA, i gazetës italiane “La Stampa”:

Përgjigje: Ishte patjetër një diplomat i një kohe tjetër që krahasohej, në përgjithësi me Niksonin. Holbruk qe protagonisti i paqës në ish-Jugosllavi. E kujtojmë veçanërisht për punën e jashtëzakonshme që pati bëri asokohe. Duke vënë në rrezik jetën e vet arriti të ulë në tryezë në Dejton, në SHBA, të gjithë protagonistët e atij konflikti të tmerrshëm. Kuptohet që nga ajo ditë ai mbeti një figurë e rëndësishme e politikës amerikane dhe konsiderohej si një sekretar i mundshëm shteti. Kur demokratët u kthyen në pushtet me Barak Obamën, Holbruk menjëherë u mor në konsideratë për një rol themelor, si ai i të dërguarit të posaçëm në Pakistan dhe në Afganistan. Ka qenë një gjigand i politikës së jashtme amerikane. Puna dhe lodhja që iu desh të përballonte gjatë këtyre viteve, ka mundësi të kenë ndikuar edhe në gjendjen e tij shëndetësore.

Pyetje: A mund të quhet Holbruk si një nga etërit e diplomacisë amerikane dhe një figurë e spikatur e saj? A ka ndonjë tjetër sipas jush që e meriton këtë vend më shumë?

Përgjigje: Diplomacia amerikane ka shumë burime dhe s’ka dyshim që do të ketë njerëz në gjendje ta zëvendësojnë. Ai i përkiste shkollës së realistëve. Vinte nga një traditë e madhe diplomatike demokratike. Madje ka qenë mik i të birit të të famshmit Diin Rask, sekretar i shtetit në kohën e presidentit Kenedi. E megjithëse vinte nga kjo shkollë, ai ishte shumë pragmatik, realist e kërkonte gjithmonë një zgjidhje logjike dhe praktike të konflikteve, ndonëse, siç thashë, vinte nga një traditë demokratike e diplomacisë. Do të jetë padyshim e vështirë të gjehet një person me aftësitë e tija, me vendosmërinë dhe vullnetin e tij për t’u sakrifikuar edhe personalisht, një person që vë kokën në rrezik vetëm e vetëm për të zgjidhur çështje të ndërlikuara ndërkombëtare.

Pyetje: Roli i fundit që luajti Holbruk ishte ai i të dërguarit të posaçëm në Pakistan dhe Afganistan, një rol shumë delikat.

Përgjigje: Fakti se e zgjodhën të merrej pikërisht me ato vende tregon sesa i rëndësishëm ishte roli i tij dhe sa i aftë ishte ai si diplomat. Aty bëhej fjalë për nisjen e bisedimeve brenda palëve në Afganistan, përfshi edhe talebanët më të moderuar, e nga ana tjetër bëhej fjalë të bindej Pakistani të mos i përkrahte më ekstremistët në Afganistan. Ishin këto bisedime tepër delikate tek të cilat mbështetej edhe strategjia e Obamës në Afganistan.







All the contents on this site are copyrighted ©.