2010-12-14 11:37:39

KQZ publikoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve. Fiton PDK-ja, vështirësi në formimin e qeverisë


Në bazë të shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit që u mbajtën në Kosovë, e që do të jenë përfundimtare vetëm pas shqyrtimit e verifikimit të denoncimeve rreth parregullsive e manipulimeve, fiton Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi, por do të jetë i vështirë formimi i qeverisë së re. BE-ja promovon votimet, por kërkon qartësi rreth manipulimeve të denoncuara.
Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli mbrëmë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të para parlamentare në Kosovë, të parat që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.
Sipas këtyre rezultateve Partia Demokratike e Kosovës radhitet e para me 33.5 për qind të votave, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.6 për qind, lëvizja Vetëvendosje me 12.2 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 10.8 për qind, Aleanca Kosova e Re me 7.1 për qind, Lidhja Demokratike e Dardanisë m e 3.3 për qind dhe Fryma e Re me 2.2 për qind të votave. Dy partive të fundit u pamundësohet hyrja në Kuvendin e Kosovës, meqë nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se deri më tash janë numëruar 99% të votave. "Vlen të theksohet se ky rezultat është preliminar. Ka 23 vendvotime që nuk janë futur në këto rezultate, prej të cilave 10 vendvotime i takojnë komunës së Prishtinës, ndërsa 13 të tjera komunave të ndryshme", sqaroi Daka.
Kryetarja e KQZ së e vlerësoi lart ecurinë e procesit zgjedhor të së dielës. "E vlerësoj shumë të suksesshëm procesin e votimit", u shpreh ajo, duke mos dashur të flasë për parregullsitë eventuale. "Në qoftë se ka shkelje, për atë do të vendosë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Nuk mund të paragjykoj nëse ka shkelje ose jo, pa e marrë përgjigjen prej PZAP it", tha Daka.
Partitë e opozitës kanë deklaruar parregullsi në zgjedhje dhe kërkojnë rivotim në Skënderaj dhe Drenas që njihen si mbështetës të kryeministrit Thaçi, ku pjesëmarrja në votime rezulton të jetë 95%.
Ndërkohë, mekanizmi që merret me shqyrtimin e ankesave, përkatësisht PZAP i, ka pranuar 171 ankesa të partive politike për, siç thuhet, parregullsi në ditën e zgjedhjeve.
Kryeshefi i Sekretariatit të PZAP it, Mul Desku, shpjegoi: "Nga subjektet politike, në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave gjatë ditës së sotme kanë arritur 131 ankesa", tha ai, për të shtuar se 40 të tjera janë paraqitur gjatë ditës së votimeve. Desku tha se ankesat kanë arritur kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga Aleanca Kosova e Re dhe disa parti të tjera. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë të ditur se kur do të dalë me rezultatet përfundimtare, meqë fillimisht duhen shqyrtuar ankesat.







All the contents on this site are copyrighted ©.