Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve, rrezikon të hyjë në krizë qeveritare menjëherë nëse partitë politike mendojnë
seriozisht e me të vërtetë atë që deklarojnë publikisht. Lidhja Demokratike e
Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk duan të qeverisin me
Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka fituar zgjedhjet. Kjo e fundit beson të
gjejë një parti të vogël edhe pakicat për të formuar qeverinë e re, derisa liderët
e partive tjera duke filluar nga Isa Mustafa i LDK-së e tjerët i kontestojnë rezultatet
dhe kërkojnë të hidhet dritë mbi manipulimet dhe parregullsitë që janë regjistruar,
për çka ata kanë paraqitur ankesat në PZAP (Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa). Raportimet
e shumta për parregullsi, shkelje dhe manipulime kanë hedhur një hije të rëndë mbi
zgjedhjet e 12 dhjetorit, me një numër të madh vëzhguesish e diplomatësh ndërkombëtarë
që insistojnë se problemet duhet adresuar shpejt, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet
nga vota e popullit. Sidoqoftë, sipas rezultatet preliminare të zgjedhjeve, fiton
PDK-ja, e cila tani ka vështirësi për formimin e qeverisë së re. Nga ana tjetër,
ministrat e jashtëm të BE-së kanë kërkuar që në Kosovë pas zgjedhjeve të së dielës
të formohet shpejt një qeveri me “program evropian”, si dhe të zgjidhet presidenti
i Kosovës “për t’u përballur me sfidat e ardhshme” e me qëllim të fillimit sa më të
shpejtë të dialogut me Beogradin. Përveç kësaj, qeveria e re ka para sfida të rëndësishme
e të mëdha: varfëria e lartë dhe e përhapur në vend, luftimi i korrupsionit të lartë,
reformat e brendshme dhe njohjet e mëtejshme nga Vendeve ndërkombëtare si dhe futjen
e Kosovës në organizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare.