2010-12-13 16:06:14

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Ku është Zoti?


(13.12.2010 RV)“Në se do të kishte Zot, do ta vizitonte vetminë tonë?”. Me këtë pyetje përfundonte meditimi ynë i djeshëm. Pyetje e njerëzve të thjeshtë, e poetëve, artistëve, mendimtarëve, në kërkim të përjetshëm të së vërtetës mbi fatin e fundmë të njeriut. Krishtlindja është përgjigjja më e mirë për zemrën e shqetësuar njerëzore. Po, ka Zot! Ai erdhi e jetoi ndër ne e dëshiron të rrijë përgjithnjë me ne, për të na e davaritur ankthin e vetmisë sonë, për të na e mbushur shpirtin me hirin e hyjnisë së vet. Në liturgjinë e Kohës, që po kremtojmë, nis të jehojë lajmi i gëzueshëm i Ungjillit të Shën Gjonit: “Në fillim të fillimit ishte Fjala, Hyji ishte Fjala; e Fjala u bë njeri, e erdhi të banojë ndër ne” (Gjn. 1,1.14).
E nga thellësitë e kohës vijon të jehojë zëri i Izaisë profet. Flet për shpërthimin e një drite, e cila nuk do të perëndojë kurrë më: “Populli, që shtegtonte në terrina, pa një dritë të madhe; për ata që banonin në tokën e hijes së vdekjes, zbardhi drita! E shumëfishove gëzimin, e rrite harenë; gëzohen pranë teje, porsi gëzohet në të korra e si galdohet kur pjesëtohet plaçka e luftës... Sepse një fëmijë lindi për ne, na u fal një djalë. Mbi shpatullat e tija është shenja e sovranitetit. Emrin e ka: “Këshilltar i Bindshëm, Atë i Amshuar, Princ i Paqes ”. (Is 9, 1-3.5).
Kundrimi i Krishtlindjes na çon në një përfundim të vetëm: pa dritën e Krishtit jemi të humbur. Nuk na shpëtojnë dot sistemet e mëdha të mendimit, themeluar mbi subjektivizmin e mbi pavarësinë e plotë të njeriut nga Zoti. Ideja e progresit të pacak të njerëzimit drejt epokës së mirëqenies, që realizohet përmes zhvillimit të shkencës e të teknikës. Aq më pak besimi se njeriu mund të ndërtojë një botë gjithnjë më të përkryer e të bëhet, më në fund, zot i gjithëpushtetshëm i fateve të veta. Kohët tregojnë se bindje të tilla çojnë drejt zvetënimit e humbjes së dinjitetit. Njeriu mbetet ai që ishte, në shekuj: plot ankthe e dyshime, në kërkim të ethshëm të përgjigjes për enigmën e jetës. Përgjigje, të cilën mund ta gjejë vetëm tek Ai, që është ‘Rruga, e Vërteta, Jeta”. Vijojmë të jemi të njëjtat dele që, po s’ecën pas bariut, përfundojnë në shtigje të verbëra! Në gojë të ujkut!







All the contents on this site are copyrighted ©.