2010-12-13 16:23:33

Zgjedhjet në Kosovë: ambasadori Dell ka parregullsi në Skenderaj e Drenas


Ambasada e SHBA-ve ka përgëzuar popullin e Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë.
“Zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ne ishim të ngazëlluar që pamë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit. Kosova tash ka përpara saj një test derisa numërohen votat. Institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë opinionit publik se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e të drejtës për të votuar”, thuhet në një komunikatë të Ambasadës amerikane.
Vëzhguesit amerikanë ishin të pranishëm nëpër qendrat të votimit kudo nëpër Kosovë më 12 dhjetor dhe ata vëzhguan një proces, që me disa përjashtime serioze, ishte kryesisht efikas.
Sipas komunikatës, ambasadori Christopher Dell ka vëzhguar zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi në komunat e Drenasit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt. Ambasadori Dell ka vëzhguar numërimin e votave në shkollën e mesme “Hamëz Jashari” në Skenderaj. Aty pati parregullsi gjatë numërimit të cilin e vëzhgoi ambasadori, duke kundërshtuar dhe raportuar për rastin.
“Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve. Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skenderaj dhe në Drenas”.
Në komunikatë thuhet se vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm dhe opinioni publik do të kthehet kah vëzhguesit që ishin të pranishëm më 12 dhjetor për të dhënë mendimet e tyre të sinqerta te KQZ-ja dhe te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. /nga Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.