2010-12-13 17:44:38

Suedia në shënjestër të terrorizmit. Gjatë natës, kontrolle në veri të Londrës.


(13.12.2010 RV)Policia britanike ka kontrolluar një shtëpi në veri të Londrës, në kuadrin e hetimeve për shpërthimin e dyfishtë të së shtunës në Stokholm, ngjarje, për të cilën krejt Suedia e pa veten në shënjestër të terrorizmit ndërkombëtar. Atentati shkaktoi dy të plagosur. Kamikazja ishte një 29-vjeçar me origjinë irakiane, që sipas shtypit anglez, ka kryer studimet universitare në Luton, ku edhe është martuar. Gruaja dhe tre fëmijët akoma jetojnë atje. I riu Tajmur Abdel Uahab bënte pjesë në degën irakiane të Al Kaidës e nëse do t’i kishte funksionuar mirë eksplozivi, mund të kishte shkaktuar një masakër të vërtetë.
Sipas hetuesve, atentatori duhet të ketë pasur bashkëpunëtorë e pikërisht këta po kërkohen tani. Gjykatësi Tomas Uidshtran deklaroi se plani ishte “përgatitur mirë”. Ai konfirmoi se 10 minuta para se të shpërthente, kamikazja kishte dërguar një mesazh me kërcënime, përmes celularit. Për një analizë të ngjarjes, të dëgjojmë koordinatorin editorial të revistës italiane të gjeopolitikës dhe të marrëdhëniëve ndërkombëtare “Equilibri.net”, Emanuele Skiboto: RealAudioMP3
Është atentati i parë islamik, ose atentati i parë në vendet veriore në përgjithësi, megjithëse në vitet ’70, Suedia ka qenë teatër betejash të ashpra nga terrorizmi i brendshëm. Pse u godit ky vend? Duhet të kemi parasysh se pak para shpërthimeve, mediave suedeze dhe policisë së Stokholmit iu dërguan disa e-mail, ku shpjegohej arsyeja. Para së gjithash, sepse Suedia është e pranishme në Afganistan, me një kontingjent prej 500 ushtarësh, e kjo është njëra nga arsyet. Së dyti, sepse në vitin 2007, një karikaturist suedez botoi një karikaturë, në të cilën, sipas akuzuesve të tij, përqeshte Muhametin. Pastaj, kemi kuadrin e përgjithshëm të vendit: Suedia ka treguesin e emigracionit më të lartë të krejt Bashkimit Evropian, me 14% të popullsisë jo suedeze. Kohët e fundit është folur shumë për hyrjen në parlament të Partisë Demokratike Suedeze, parti ksenofobe anti-islamike. Është thënë gjithashtu se modeli ekonomik suedez ka falimentuar. Kujtojmë se shumica e emigrantëve vijnë në Suedi për motive politike e jo ekonomike, pra janë refugjatë politikë.
Para këtij atentati, a ishin të dukshme këto fraksione ekstremiste të vendit?
Jo, nuk ishin të dukshme, por, tetorin e kaluar, u rrit niveli i alarmit, pas paralajmërimit të SHBA-ve për gjithë vendet e Evropës. Suedia dhe Britania e Madhe rritën nivelin e gatishmërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.