2010-12-13 18:45:07

Pieter Feith: zgjedhje të mira, me gjithë parregullsitë


Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, përgëzoi popullin e Kosovës për zhvillimin përgjithësisht të mirë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës dhe për atmosferën konstruktive që ka mbizotëruar në shumicën e vendvotimeve në Kosovë. Ai tha se këto zgjedhje janë një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejmë demokratik, dhe se do të kenë ndikim pozitiv për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane.
“Parregullsitë që janë vërejtur paraqesin një zhgënjim. Ato tregojnë se demokracia është një proces mësimi. Tani është me rëndësi që ankesat që paraqiten në periudhën e caktuar prej 24 orësh të hetohen menjëherë dhe plotësisht nga institucionet përkatëse të Kosovës, e në veçanti nga Paneli i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”.
“Rritja e pjesëmarrjes së përgjithshme në zgjedhje dhe pjesëmarrja e mirë e komunitetit serb të Kosovës ka treguar një vendosmëri në rritje në mesin e të gjitha komuniteteve për të marrë pjesë së bashku në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, shumetnike për Kosovën. Është me rëndësi që e drejta për të votuar është garantuar në tërë Kosovën përkundër veprimeve të koordinuara të frikësimit dhe shqetësimit në komunat veriore. Autoritetet e Kosovës, e në veçanti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të cilat këto ishin zgjedhjet e para të përgjithshme kanë kryer punët e tyre përkatëse”.
“Dua t’i shpreh falënderimet e mia për vëzhguesit diplomatik nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet tjera që i janë bashkuar “Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Kosovës” që është koordinuar nga zyra ime, për të ndihmuar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Feith.
“Unë pres krijimin e një qeverie të pastër, kompetente dhe kredibile, të gatshme për t’u ballafaquar me nevojën urgjente për zhvillim socio-ekonomik dhe sundim të forcuar të ligjit. Nën dritën e sfidave që janë përpara, konstituimi sa më parë i Kuvendit që çon në formimin e një qeverie dhe zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, do të ishte në interesin e të gjithë popullit të Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.