Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë: “Koha e Ardhjes
na fton ta presim Zotin me durim”.
(13.12.2010 RV)Në një epokë, që kërkon ndryshime të vazhdueshme, Koha e Ardhjes
na fton ta presim Zotin me durim e shpresë: këtë theksoi Benedikti XVI në lutjen e
djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ripohoi se shpresa
e vërtetë, e cila nuk të zhgënjen kurrë, është ajo që bazohet mbi besnikërinë e Zotit. Pas lutjes së
Engjëllit të Tënzot, sipas traditës, bekoi shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat
e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake, që i mbanin në duar fëmijët e shkollave.
Ishin më se 2 mijë fëmijët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me simbolet e Solemnitetit
të afërt në duar. Me tollumbacet e tyre ngjyra-ngjyra, e mbushën me ylbere qiellin
e zymtë të ditës së ftohtë dimërore, duke thelluar atmosferën e festës, krijuar tashmë
në zemër të Sheshit nga Bredhi i stolisur i Krishtlindjes.
Të jini, pra, të
durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit: Papa u ndalua tek ky fragment,
shkëputur nga Letra e Shën Jakut, që sapo ishte lexuar në liturgjinë e së dielës,
për të vënë theksin mbi vlerën e durimit. Koha e Ardhjes – reflektoi Ati i Shenjtë
– na bën thirrje ta forcojmë me ngulm këtë vlerë shpirtërore. Durimi dhe qëndresa
e shpirtit, na ndihmojnë të mos dëshpërohemi, në sa presim një të mirë, që vonon
të vijë. Nuk duhet ta humbasim shpresën, pra. E jo vetëm që duhet ta presim me durim
këtë të mirë, por duhet edhe t’ia përgatisim rrugën me besim të zellshëm: “Më
duket se në ditët tona është më e rëndësishme se kurrë të nënvizohet vlera e qëndrueshmërisë
dhe e duresës, virtyte të zakonshme për etërit tanë, që duket sikur e kanë humbur
popullaritetin, në një botë që ngre në qiell ndryshimin dhe aftësinë për t’u përshtatur
sa më shpejt e sa më mirë, në situata të reja, gjithnjë në ndryshim”. Duke
u kthyer përsëri tek Letra e Shën Jakut, Papa rikujtoi shembullin e bujkut, i cili
pret me durim frytin e çmuar të tokës. Krahasim shumë shprehës, nënvizoi Ati i Shenjtë: “Bujku
nuk është fatalist, por model i një mendësie, që bashkon me drejtpeshim fenë e arsyen
sepse, nga njëra anë i njeh ligjet e natyrës dhe e kryen mirë punën e vet, ndërsa
nga ana tjetër, mbështetet në Provaninë hyjnore, nga që disa gjëra nuk janë në duart
e tija, por në ato të Zotit”. Qëndrueshmëria e durimi – vërejti Benedikti
XVI – janë pikërisht sintezë e impenjimit të njeriut dhe e besimit tek ndihma e Zotit.
Si mund ta bëjmë edhe ne këtë? Si mund t’i forcojmë zemrat tona, krejt të brishta?
Si mund t’i ruajmë, të mos thyhen, kur kultura, që i rrethon, i rrezikon nga të katër
anët? “Ndihma nuk na mungon: është Fjala e Zotit. Në të vërtetë, në sa gjithçka
kalon e ndryshon, Fjala e Zotit nuk kalon. Në se ngjarjet e jetës na bëjnë të ndjehemi
të humbur e çdo siguri na duket e kotë, e kemi një busull, që na tregon rrugën; një
spirancë e kemi, që na ndihmon të mos përfundojmë në fund të detit”. Na
ofrohet një model – vijoi Papa - është ai i profetëve, i njerëzve që Zoti i thirri
të flasin në emër të vet: “Profeti e gjen gëzimin e forcën në Fjalën
e Zotit, e, ndërsa njerëzit shpesh e kërkojnë lumturinë në rrugë, që më pas dalin
të gabuara, ai kumton shpresën e vërtetë, atë që nuk të zhgënjen, sepse ngrihet mbi
themelin e besnikërisë së Zotit”. Në përfundim Shenjtëria e tij kujtoi
se çdo i krishterë, për virtyt të Pagëzimit, fiton dinjitet profetik dhe uroi që të
gjithë ta rizbulojnë e ta ushqejnë këtë dinjitet, duke dëgjuar vazhdimisht me vëmendje
të madhe Fjalën Hyjnore. Pas përfundimit të lutjes mariane, Papa bekoi shtatoret
e Krishtit Fëmijë për Shpellat e Betlehemit, në ndërtim e sipër, që fëmijët romakë
i kishin sjellë, sipas traditës, në Shesh: “Të dashur miq të rinj, kur ta
vendosni Foshnjen, në shpellë a në kasolle, thoni një lutje për Papën e për ndjetet
e tij. Faleminderit! I përshëndes edhe prindërit tuaj, mësuesit e katekistët; falënderoj
edhe Qendrën e Oratoreve Romake për nismën, si dhe miqtë e Dispanserisë pediatrike
të “Shën Marisë”. Duke përshëndetur shtegtarët e besimtarët spanjollë,
Papa kujtoi, në përfundim, festën e djeshme të Zojës së Guadalupes, tejet e dashur
për popullin meksikan e për të gjithë Amerikën Latine. Me ndihmën e Marisë, tha Ati
i Shenjtë, mund ta jetoni këtë kohë gëzimi e shprese, duke u impenjuar në veprimtari
bamirësie, në ndihmë të njerëzve më nevojtarë.