2010-12-11 10:17:52

“Intoleranca kundër të krishterëve”: editorial i atë Federiko Lombardit


“Vëzhguesi mbi intolerancën dhe diskriminimin kundër të krishterëve në Evropë” i OSBE-së, paraqiti, të premten e kaluar, në Vjenë, një Raport, në të cilin sjell prova, që vërtetojnë se gjatë pesë vjetëve të fundit fenomeni i intolerancës kundër të krishterëve në Kontinentin e Vjetër, është gjithnjë në rritje.
Pikërisht këtij fenomeni, tejet shqetësues, atë Federiko Lombardi, ia kushton editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Raporti i ‘Vëzhguesit mbi intolerancën dhe diskriminimin kundër të krishterëve në Evropë’, është dokument, që meriton vëmendje. Me të drejtë – për shkak të atentateve të tmerrshme – flitet sidomos për dhunën e diskriminimin kundër të krishterëve në disa vende të Lindjes së Mesme, por të krishterët po hasin vështirësi në rritje edhe në situata të tjera gjeografike e kulturore. Në takimin e rangut të lartë të OSBE-së, mbajtur në Astana, pak ditë më parë, kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Bertone, pohonte me bindje se ‘bashkësia ndërkombëtare duhet ta luftojë intolerancën dhe diskriminimin kundër të krishterëve me të njëjtën vendosmëri, siç lufton intolerancën në zona të ndryshme të botës’.
Ndërkaq edhe Papa, në fjalimin tashmë të famshëm, mbajtur në Uestminster Hol, në Londër, shprehte shqetësimin e tij përballë formave në rritje të kufizimit të fesë, posaçërisht të krishterimit, ... edhe në kombe, që e shikojnë tolerancën si vlerë të dorës së parë.
Rëndësia e Raportit qëndron pikërisht në faktin se jep një varg të gjatë rrethanash e shembujsh të intolerancës kundër të krishterëve në Evropë: akte vandalizmi, urrejtjeje kundër kishave e simboleve fetare; manifestime inati e fyerjesh kundër njerëzve. Është një bazë, mbi të cilën mund të vlerësohen përmasat dhe natyra e fenomenit. Një ofertë e rëndësishme për reflektim e impenjim, e jo vetëm për ata që militojnë në mbrojtje të krishterimit e të vlerave të tij, por edhe për të gjithë njerëzit e ndershëm, të cilët dëshirojnë vërtet t’i ruajnë vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë. Sepse, siç vërente me mprehtësi e thellësi Papa në Uestminster Hol: “Feja nuk është problem për t’u zgjidhur, por faktor, që kontribuon në mënyrë jetike në debatin publik”. Anglezët e dëgjuan me vëmendje e respekt. E urojmë këtë për të gjithë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.