Te dielen12 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 3-të të Kohës së Ardhjes, kohë
liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po
sot më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe festën të Lumes Mari Virgjër të
Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton
të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk
jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash,
për të fluturuar drejt lartësive. Nesër e hënë, 13 dhjetor, bie festa e
Shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e Shën Aristonit,
martir i Portos. Liturgjia e së kremtes na kujton se Zoti është i durueshëm e
i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk
arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve
të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje,
e kërkon ujin atje ku nuk gjindet. Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve
shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi
nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë. Ky është reflektimi
që na sjell në mend, të martën e ardhshme 14 dhjetor, festa e Shën Gjonit të
Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Të mërkurën më 15
dhjetor kalendari përkujton Shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili
na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga
Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht
në rrugën e Zotit. Të ejnte që vjen më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën
Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë
se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti Të premten
më 17 dhjetor, kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria
e Mizaeli; Shën Gjonin eMatës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin
Kormié, meshtar dominikan. Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie
të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të
zgjedhurve të Hyjit. Të shtunën e ardhshme më 18 dhjetor, bie përkujtimi
i festës së shën Malakisë profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës
na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm
Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht
planeve misterioze të Hyjit. Të dielën që vjen më 19 dhjetor, Kisha kremton
të dielën e 4-të të Kohës së Ardhjes, e po më 19 dhjetor kalendari Kishtar përkujton
edhe Papëve Shenjtër Urbanit dhe Anastasit. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij,
janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë
jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim,
kur është nevoja.