Dëshmia e jashtëzakonshme e martirëve shqiptarë për fe e atdhè.
Të mërkurën e kaluar më 8 dhjetor, Kisha katolike në Shqipëri mbylli zyrtarisht fazën
e parë të procesit kanonik dioqezan për shpalljen “martirë” të 40 “Shërbëtorëve të
Hyjit”. Është fjala për imzot Vinçenc Prennushin me 37 shokë të tij, për atë Luigj
Paliqin e dom Gjon Gazullin. Pas një pune 8 vjeçare, faza dioqezane e procesit kanonik
Kishtar u mbyll me kremtimin e Meshës së Shenjtë kremtuar në Katedralen e Shkodrës,
të cilën e kryesoi kardinali Hummes në bashkëkremtim me episkopatin shqiptarë e pas
Meshe u mbajt seanca e mbylljes. Tani çështja e kanonizimit të 40 martirëve të Kishës
shqiptare do t’i kalon Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. Po mbi
procesin e deritanishëm, dëshmitë që dhanë martirët shqiptarë gjatë persekutimit,
gjykimit, dënimin e vdekjes së tyre për fenë e tyre në Krishtin e mbrojtjen e vlerave
njerëzore e kombëtare, të dëgjojmë një pjesë shkëputur nga intervista e don David
Gjugjës me don Gjovani Kokona, që është marr me procesin kanonik dioqezan të 40 martirëve,
ta dëgjojmë.....
Ja edhe
lista e 40 Martirëve: Dom Anton Zogaj Ai lindi në Kthelle të Mirditës.
Mbaroi seminarin Papnuer në Shkodër (1920). U diplomua për filozofi në Trauning (Austri).
U shugurua meshtar më 26.4.1932. Për meritat e tij e emëruan Sekretar pranë Ipeshkevisë
se Durrësit. Shërbeu me një devocion e besnikëri të veçantë. Në vitin 1945, komunistët
e arrestuan dhe e torturuan mizorisht. Dom Anton Zogajn e pushkatuan më 31.12.1946,
në Porto Romano. Imzot Frano Gjini: (Ipeshkëv - Abat i Mirditës, në
Orosh) Lindi në Shkodër, më 20 Shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin
Papnor të Shkodrës, kurse studimet teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).
U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij
meshtarak. Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit, seli që e ndryshoi sepse
u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat
"spiun i Vatikanit" dhe "bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së
Postribës". Pësoi keqtrajtime dhe tortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh u dënua
me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: "Rroftë Krishti Mbret! Shqipëria do të
jetojë edhe nëse ne vdesim!". U pushkatua më 11 mars 1948. Marije Tuci: Lindi
në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 Mars 1928. Shkollën e mesme e kreu te Motrat
Stigmatine në Shkodër. U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949. Kriminelët, hetuesit
komunistë për të kënaqur instinktet e veta kafshërore, u munduan me të gjitha mënyrat,
por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave
të shoqeve të saj të burgosura me të. "Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi
trupin tim", sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të
tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace! Vdiq në spitalin e burgut
në Shkodër, më 24 shtator 1950. Atë Giovanni Fausti S.I. Lindi në Broco
të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor.
U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e
dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në
Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit,
forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: "Të shkojmë në shtëpinë e
Zotit". U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua
më 4 mars 1946. Dom Gjon Gazulli Lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë),
më 26 Mars 1893. Pas shkollësfillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin
Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj
edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti.
U shugurua meshtar më 4 gusht 1919. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit
Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht
katolike. Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor
1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u
var. Imzot Vincenc Prenushi OFM Arqipeshkëv i Durrësit. Lindi në Shkodër,
më 4 Shtator 1885. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në kolegjin e françeskanëve
në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri). Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars
1908. Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, i kolegjit françeskan, Guardian i Kuvendit
të Shkodrës. Dy herë qe provincial. Më 19 mars 1936 u shugurua Ipeshkëv i Sapës e
pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. Njeri i përvujtë, i zellshëm, i butë, organizues
i Ipeshkvnisë, njeri shumë i mençur dhe shkrimtar i mirë. U arrestua më 19 maj 1947
dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949. Imzot
Jul Bonati: Lindi në Shkodër, më 24 Maj 1874. Studioi në Firence. Njihte disa
gjuhë të huaja. U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906. Ka përkthyer
në gjuhën italiane librin e famshëm të Atë Gjergj Fishtës: "Lahuta e Malcisë". I ka
dhënë një ndihmë të madhe Kishës sonë në Shqipëri: në Durrës dhe në Vlorë. Ishte një
meshtar i përvuajtur dhe i mençur, plot me zell e devocion. U arrestua në Durrës më
25 mars 1946 dhe u torturua çnjerëzish. Vdiq më 5 nëntor 1951. Dom Alfons Tracki:
Lindi më 2 Dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë
luftarake në Bleischëitz/ Bliszezyce (Ëroclaë) me prejardhje polake. Pasi mbaroi studimet
teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër si misionar. Luftoi me
ngulm traditat e këqija siç është prirja për t'u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjatë
Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të
liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist. Kontribuoi shumë
edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke
ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. U pushkatua më 18 korrik 1946. Atë
Gjon Shllaku: Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të
mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios
në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit,
ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe
profesor i filozofisë në liceun "Illyricum" të françeskanëve (Shkodër). U arrestua
para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua
më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: "Rroftë Krishti Mbret!
I falim armiqtë tanë!". Atë Karl Serreqi: Lindi në Shkodër, më 2 Shkurt
1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali).
U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. U arrestua më 9
tetor 1946, sepse organet e sigurimit donin të dinin se çfarë i kishte thënë në rrëfim
një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave.
U dënua me vdekje më 18 janar 1947. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954. Është
martir i fshehtësisë së rrëfimit. Atë Mati Prendushi: Lindi në Shkodër,
më 2 Tetor 1881. Shkollën fillore, të mesme dhe liceun i kreu në shkollën françeskane
(Shqipëri). Studimet e filozofisë i kreu në Grac (Austri). U shugurua meshtar më 25.03.1904.
Mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me
Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Qe provincial i Françeskanëve
në Shqipëri nga viti 1943 deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet në flijim për
të mirën e Shqipërisë. Qe dënuar me vdekje nga serbët, por pas një ndërhyrjeje të
mbretit Nikolla të Malit të Zi, qe falur. Në 15.11.1946 qe arrestuar me akuzën e rreme
se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës,
dhe për këtë arsye qe pushkatuar nga komunistët. U pushkatua më 11 mars 1948, tek
varrezat e Rrmajit. Dom Jozef Maksen: Lindi në Worringen (Gjermani),
më 2 Gusht 1906. Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës
(Mirditë). Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe
në fushën e të mësuarit dhe të kulturës. Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë
e Perlatit (Mirditë). Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit. Në vitin 1946
u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman.
U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një
natë e nxorrën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë se ku e kishin dërguar.
Thuhet se kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare. Dom
Lazer Shantoja: Lindi në Shkodër, më 2 Shtator 1892. Studioi nga fillorja
deri në lice në Seminarin Papnor Shqiptar dhe vazhdoi studimet eteologjisë në Insbruk
(Austri). U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Qe sekretar i Arqipeshkvit Imzot Lazer
Mjeda. Qe orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njerëzore e hyjnore. U arrestua
në vitin 1945 në Sheldi. Tmerrësisht dhe barbarisht i torturuar, u pushkatua në Tiranë
më 2 shkurt 1946. Dom Lekë Sirdani: Lindi në Gurës (Milot), më 1 Mars
1891. Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në
Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Shërbeu në famullitë e maleve
të Arqipeshkvnisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm. Qe torturuar
në mënyrë barbare e të pashpirtshme, krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë
së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe
e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, i torturuar dhe i mbytur nga policia e
Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës. Dom Luigj Prendushi: Lindi
në Shkodër, më 24 Janar 1896. Prej shkollës fillore deri në meshtari studioi në seminare
të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio dhe Sarvano. U shugurua meshtar
më 12 mars 1921. U kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Ipeshkvninë e Sapës.
U akuzua se ishte spiun i Vatikanit, u arrestua në Naraç më 8 dhjetor 1946 dhe, për
të terrorizuar popullin, u pushkatua në Shelqet në praninë e fshatarëve, më 24 janar
1947. Atë Ciprian Nika: Lindi në Shkodër, më 19 Korrik 1900. Mbeti
jetim kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse
studimet teologjike në Austri. U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial
i françeskanëve në periudhën 1938- 1941, u bë guardian i kuvendit të Shkodrës nga
viti 1944 deri në vdekje. U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen
e armëve në altarin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin. Fjalët
e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: "Rrotë Krishti Mbret!
I falim armiqtë tanë! Shqipëria nuk vdes me ne!". U pushkatua më 11 mars 1948. Atë
Serafin Koda: Lindi në Janjevë (Kosovë), më 25 Prill 1893. Meshën e Parë e
kremtoi më 30 korrik 1925. Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua.
U arrestua pas një takimi, që bënë françeskanët në Lezhë për arsye ekonomike, të cilit
organi i sigurimit donte t'i jepte kuptim politik, sikurse e kishin zakon ata. Kërkonin
dëshmi nga Atë Serafini, por ai nuk pranonte t'i akuzonte vëllezërit e vet. Vdiq,
në Lezhë, ndër tortura, më 11.05.1947. Ka qenë misionar i zellshëm. Infermierja Marie
Ndoja, që e mjekonte në momentet e agonisë, e varrosi fshehtazi nën një ulli të oborrit
të kuvendit, e pas dëshmisë së saj, janë gjetur eshtrat e tij më 16 shtator 1994.
Atë Gasper Suma Lindi në Shkodër, më 23 Mars 1897. Shkollën e mesme
e kreu te françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më
31 korrik 1921 dhe shërbyu gjithmonë në zonat më të vështira malore: Theth, Brigje
të Hotit dhe Gomsiqe. Pati një shpirt të madh sakrifice. U arrestua dhe vdiq në burgun
e Shkodrës më 14 prill 1950. Eshtrat e tij pushojnë në Kishës Françeskane të Shkodrës.
Dom Anton Muzaj: Lindi në Vrnavokolo (Kosovë), më 19 Mars 1921. Shkollën
e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër. Në vitin 1938 shkoi në Romë
në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian. U
shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946 u kthye në atdhe. Në vitin 1948 u
arrestua dhe pas shumë torturave u lirua. Vdiq në arqipeshknvinë e Shkodrës, për shkak
të pasojave të torturave, në pranverë të vitit 1948. Pra: vdiq "in odium fidei". Ishte
i devotshëm dhe i zellshëm; si karakter gjithmonë i gatshëm dhe shumë i përvuajtur.
Dom Dede Maçaj: Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 Shkurt 1920.
Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U
shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës. U mor
në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Pas
torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet. Gjatë shërbimit
ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i
përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij. Dom Dede Malaj: Lindi në Mali Kolaj (Velipojë), më 16 Nëntor 1917. Pas shkollës fillore dhe të
mesme që kreu në Seminarin Papnor Shqiptar vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar
në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942. U kthye në Shqipëri në Ipeshkvninë
e Shkodrës për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. Pasi dërgoi jashtë
shteti listën e meshtarëve të pushkatuar, u arrestua dhe u dënua me vdekje. In odium
fidei - Vox Populi. [Prej urrejtjes ndaj fesë - është zëri i popullit]. Përballë gjyqit
rinovoi me guxim shpalljen e tij të fesë katolike dhe paditi padrejtësitë e regjimit
komunist. U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare. Mark Çuni, seminarist
Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore,
kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar
vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës
politike "Bashkimi Shqiptar" brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të
tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si
eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje,
bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946. Atë Bernardin Palaj Lindi
në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 Tetor 1894. Teologjinë e kreu në
Insbruk (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë; qe profesor dhe shkrimtar.
Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. Në 1946 u arrestua
dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër. E lidhën
me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi. Atë Daniel Dajani Lindi
në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në
fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua
meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin
e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për
të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte
shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua
bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua
në mënyrë çnjerëzore.
Gjelosh Lulashi (laik): Lindi në Shosh (Dukagjin),
më 2 Shtator 1925. Qe besimtar i thjeshtë, laik. Qe oficer ushtarak në spitalin e
Shkodrës. Qe anëtar i organizatës politike "Bashkimi Shqiptar". U arrestua dhe pushkatua
më 4 mars 1946, së bashku me Atë Gjon Shllaku O.F.M., Atë Giovanni Fausti S.I., Atë
Daniel Dajanin S.I. I tërhequr dhe i forcuar prej shokëve të tij heroikë, me te cilët
vuajti dhe vdiq, tha këto falë të fundit: "I thoni babës të më falë se e kam trazuar.
Nanës të fala dhe të m'i puthë vllazenit. Rroftë Krishti Mbret. Rroftë Shqipëria."
Dom Mikel Beltoja Lindi në Beltojë, më 9 Maj 1935. Shkollën fillore
e kreu në fshatin e tij dhe disa klasë të shkollës së mesme. U përgatit nga ana filozofike
e teologjike privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar
më 8 dhjetor 1961. Qe shumë i zellshëm në shërbimin e tij meshtarak. Pas mbylljes
së kishave në mars 1967, pa marrë parasysh ndalesat e regjimit, shkonte nga njëri
fshat në tjetrin dhe në mënyrë të veçantë në male, duke ofruar me guxim shërbimin
e tij fetar. U arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973. Qe torturuar në mënyrë shtazarake,
por rezistoi me vendosmëri dhe heroizëm. Për ta bërë të heshtte në sallën e gjyqit,
pasi që e kishin zhveshur, e therën disa herë me zumça. U pushkatua më 10 shkurt 1974.
Dom Ndre Zadeja: Lindi në Shkodër, më 3 Nëntor 1892. Shkollën fillore
dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).
U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Një ndër Meshët e para të tij e kremtoi
në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë
drama. Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar në famulli të
ndryshme të Dioqezës. Qe i pari meshtar që u pushkatua në Shkodër nga komunistët,
të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945. Dom Mark Gjani Lindi
në Shën Gjergj (Pulaj), më 10korrik 1909. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor
të Shkodrës, kurse teologjinë në Bobio (Itali), ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars
1942. U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave
çnjerëzore, në vitin 1947. Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin
dhe ai përgjigjej duke bërtitur: "Rroftë Jezu Krishti!", e kjo për disa ditë rresht,
derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake. Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar
me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte
qenë në të njëjtën qeli me të. Trupi i tij u hodh në një kanal dhe u shqye nga qentë.
Dom Dede Plani: Lindi në Shkodër, më 21 Janar 1891. Shkollën e mesme
e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua
meshtar në Primiz (Austri) më 3 gusht 1919. Pas shugurimit të tij meshtarak u rikthye
në atdhe. Ishte i mirë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1947 në Rrenc (Shkodër).
Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948. Dom Ejell Deda: Lindi
në Shkodër, më 22 Shkurt 1917. Studimet e para i kreu tek françeskanët, pastaj kaloi
në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë. U shugurua meshtar më
24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve (Shkodër), ku kremtoi edhe Meshën e Parë të nesërmen,
më 25 shkurt. Qe famullitar i Bushatit (Shkodër). U arrestua më 12 nëntor 1947. Vdiq
në burg, më 12 maj 1948. "In odium fidei". Ishte i përshpirtshëm dhe i zellshëm, një
meshtar shembullor. Dom Jak Bushati: Lindi në Shkodër, më 7 Gusht 1890.
Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofinë dhe teologjinë.
U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Shërbeu në zonën e Mirditës për 26 vjet. Qe i respektuar
nga të gjithë. Ishte i devotshëm dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1949. Pas shumë
torturash vdiq në burg më 12 shtator 1949, para se të gjykohej. Është një martir i
vërtetë me një jetë të shenjtë. Papa Josif Mihali: Lindi në Elbasan,
më 23 Shtator 1912. Studimet i kreu në seminarin "Benedikti XI", në Grotaferrata (Itali).
Dha një shembull shumë të mirë. Studimet e filozofisë dhe të teologjisë i kreu në
seminarin e shën Atanazit (Romë). U shugurua në Romë, më 1 dhjetor 1935. Në Shqipëri
erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i kishës së shën Pjetrit në Elbasan. U
arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik dhe u dërgua me punë të detyruar
në Korcë. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë
në kënetën e Maliqit, më 26 tetor 1948. Dom Marin Shkurti: Lindi në
Samrish, më 1 Tetor 1933. Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse
studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda. U shugurua meshtar në katedralen e
Shkodrës, nga Imzot Çoba, më 8 dhjetor 1961. Pas mbylljes së kishave ka zhvilluar
fshehtazi shërbesën e tij në fshatra e qytete. Kërkoi strehim në Jugosllavi, por u
tradhtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.
Dom Ndoc Suma: Lindi në Nënshat, më 31 korrik 1887. Studimet filozofike
dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruck (Austri) bëri edhe
dy vite të tjera studim. U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit
Saverian. Meshën e Parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911. Shërbeu si famullitar
në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946 u arrestua,
ndërsa kremtonte Meshën e shenjtë. U akuzua rrejshëm, e pastaj u dënua me 30 vjet
burg. Pas një paralize në vitin 1953 dhe pasi bëri tetë vite burg, u lirua më 27 nëntor
1954. Njihej si një etnograf i madh. Kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita
të vjetra shqiptare. Vdiq më 22 prill 1958. Dom Pjeter Cuni: Lindi
në Shkodër, më 9 Korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor
të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar
më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel).
U arrestua pa motive në Rrjoll më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, qe futur
për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948.Qe një meshtar
shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër
diktaturës. Është një martir i vërtetë, bashkë me Dom Aleksandër Sirdanin. Dom
Shtjefen Kurti: Lindi në Ferizaj (Kosovë), më 25 Dhjetor 1898. U shugurua
meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj
Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet
vjet burg. Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më
11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje "in odium fidei". U pushkatua më 20 tetor 1971.
Fran Mirakaj (laik) Lindi në Iballë (Pukë), më 13 Gusht 1916. Qe blegtor
dhe shitës. Kishte të afërm e kushërinj jashtë shteti, për këtë arsye u fut në lojën
e Sigurimit. Gjykata e Tiranës, e kryesuar nga gjykatësi Frederik Nosi me Prokurator
Nezat Haznedarin, aprovoi dënimin e shpallur në Shkodër më 22 shkurt 1946. U pushkatua
në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946. Vëlla Gjon Pantalia: Lindi
në Prizren (Kosovë), i afërm me Nënë Terezën, më 2 Qershor 1887. Erdhi në Shqipëri
në vitin 1906 në shkollën e jezuitëve, si vëlla në shoqërinë e Jezusit. Ka studiuar
edhe në Soresina (Itali). Të gjithë ata që e kanë njohur flasin me respekt të madh
për të.Ai ka pasur një rol të madh në jetën e kolegjit. Ishte një njeri i mençur dhe
i zellshëm. Pas arrestimit të Etërve Fausti dhe Dajani, qe udhëheqësi shpirtëror i
Kongregatës. U arrestua në vitin 1946 në Kuvendin e Fretërve (Gjuhadol) dhe pësoi
tortura të tmerrshme. Vdiq ndër tortura, më 31 tetor 1947. Qerim Sadiku (laik)
Lindi në Vuthaj (Shkodër), më 12 Shkurt 1919. Qe anëtar i organizatës politike
"Bashkimi Shqiptar" dhe ishte ndërlidhës mes malit e qytetit. U arrestua më 3 dhjetor
1945 dhe i duroi torturat me një guxim të madh. U dënua me vdekje dhe u pushkatua,
në grup, bashkë me Atë Gjon Skllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani, më
4 mars 1946. Fjalët e tij të fundit qenë: "I fali ata që kanë mundur të më bëjnë keq.
I fali ata që më kanë dënuar me vdekje, e ata që do të më pushkatojnë". Atë
Luigj Paliq. Lindi në Janjevë, në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 Shkurt
1879. Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Kuvendin e Troshanit
(Lezhë). Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901. U shugurua
meshtar më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe
të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e Shën Antonit në Gjakovë. Pas shugurimit u
ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studimi pas-universitare. Gjatë viteve
1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 u emërua
rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë). U martirizua në Janosh
afër Gjakovës më 7 mars 1913.