2010-12-10 18:43:47

Në Kosovë mbyllet fushata e fillon heshtja zgjedhore


Përfundon sot fushata dhjetëditëshe zgjedhore në Kosovë e nga ora 24 fillon heshtja zgjedhore në mënyrë që votuesit të kenë 24 orë për të menduar se kujt do t'ia japin votën e tyre në zgjedhjet e 12 dhjetorit, këtë të diel, për çka garojnë 29 subjekte politike të certifikuara. Të gjitha subjektet politika kosovare shfrytëzuar ditën e fundit të fushatës për t’i bindur për vete qytetarët në tubime nëpër qytete e në mënyrë të veçantë në Prishtinë. Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, 100 prej të cilëve zgjidhen drejtpërdrejt, derisa 20 vende janë të rezervuara për komunitetin serb e pakicat tjera etnike të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë për zgjedhjet e 12 dhjetorit është 1 milion e 630 mijë e 636 persona. Sipas një njoftimi të KQZ, votues të rinj janë 73. 288 persona, ndërkaq në ditën e zgjedhjeve do të jenë 35. 735 persona që do të mbushin 18 vjeç dhe të cilët kanë mundësi të votojnë. Ndërkohë 34. 521 votues kanë ndryshuar adresën e vendbanimit, kurse nga lista e votuesve si persona të vdekur janë fshirë 6. 165 veta. Vëzhgues të partive janë 26.059, organizata ndërkombëtare 493, ambasada 351 dhe OJQ 5108.
Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit të dielën më 12 dhjetor për herë të parë do t'i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Nëpërmjet një komunikate Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se me ekipet e tij mobile do t'i vëzhgojnë të gjitha qendrat e votimit në vend. Avokati i Popullit Sami Kurteshi deklaroi se qëllimi i vëzhgimit të zgjedhjeve përgjithshme është mbështetja forcimit të procesit demokratik gjatë procesit zgjedhor. Vëzhguesit e Avokatit të Popullit kanë kryer trajnimin e duhur për vëzhgimin e zgjedhjeve që është organizuar nga ekspertët e OSBE së si dhe KQZ së. Votuesit kanë mundësi t'i paraqesin parregullsitë gjatë procesit të votimit edhe vëzhguesve të Institucionit e Avokatit të Popullit në vendet e votimit si dhe nëpërmjet telefonit që do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.