“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Psalmi
i Kohës së Ardhjes.
Pas Engjëjve të Kohës së Ardhjes, sot do të meditojmë mbi Psalmin e 84 (85), kësaj
kohe pritjeje e ardhjeje. Liturgjia e lashtë e pati zgjedhur si Psalmin, që e shpreh
më mirë nga të gjithë atmosferën e pritjes së Zotit. Psalm lutjeje e psalm profetik,
sepse kumton pikërisht misterin e Krishtlindjes. Shpjegimin e tij të thellë mund ta
gjejmë duke shfletuar të gjithë Etërit e Kishës me radhë, nga Ireneu e deri tek Augustini. Në
Pjesën e parë të këtij Psalmi ndjehet fort atmosfera e mrekullueshme e pajtimit.
Nuk është thjesht pajtim i njeriut me njeriun, edhe ky tejet i dëshiruar, i rëndësishëm
dhe e i bukur! Është Zoti, që kthehet e prandaj Psalmisti i shpreh mirënjohjen me
thellë me zemër:
1. O Zot, ti e deshe tokën tënde, e ktheve për
së mbari fatin e Jakobit.
3. Prapësinë popullit tënd ti ia fale, e
mëkatet të gjitha ia shleve.
4. Zemërimin tënd krejt
e harrove, i dhe fund inatit tënd të madh.
5. Ndihmona,
o Hy, ti shpëtimi ynë, ndaj nesh zemërimin tënd ti zbute.
6.
Thua përgjithmonë zemërimin do ta mbash, nga koha në kohë mërinë
do ta ruash?
7. Thua s’do t’ kthehesh e prapë të na japësh
jetë, që në ty të gëzojë përsëri populli yt?
8. Na e trego, o Zot,
mëshirën tënde; e shpëtimin tënd na e fal!
Fjala e parë “e deshe”
është çelësi i partiturës, që i jep tonin, me të cilin duhet lexuar e shpjeguar kjo
këngë e mrekullueshme e pajtimit të madh, që thuret me fjalët plot shpresë: ti
fale, harrove, zbute, ti vjen të na japësh jetë e sidomos “Ti e deshe”!
Mjafton kjo fjalë, për të kuptuar se Psalmi do të na njohë me një histori dashurie.
Është dashuria ndërmjet Zotit e tokës së vet. Ndërmjet JHWH e ‘Jakobit, domethënë
Izraelit, Popullit të tij. Shumë nga Psalmet titullohen me fjalën e tyre fillestare.
Kemi, prej këndej, Psalmet “Miserere”, “De Profundis” (Në Besëlidhjen e Vjetër); e
këngët e kapitujve të parë të Ungjillit sipas Lukës: “Magnificat”, “Benedictus”, “Gloria”
e “Nunc dimittis”. Psalmi i Kohës së Ardhjes, mund të quhet “E deshe”. Aq më tepër,
sepse krejt Pjesa e tij e parë përfundon me fjalët dashuri e shëlbim, në përkim të
plotë me fjalën e fillimit. Zoti i kthen mëkatarët në rrugë të drejtë, sepse nuk është
më i zemëruar me ta, prandaj e presim të vijë përsëri e të dhurojë jetë. E prandaj
Psalmisti, duke folur në emër të të gjithëve, i lutet Zotit të kthehet dhe e siguron
se populli do t’i përgjigjet, duke ulur të dy gjunjë mbi dhe!