2010-12-09 17:57:34

Përurohet Muzeu i ri i Propagandës Fide. 400 vjet histori misionare e kryevepra arti.


(09.12.2010 RV)Një thesar i përshpirtmërisë misionare, i artit figurativ dhe i etnografisë antike prej 400 vjetësh e që për herë të parë i paraqitet publikut. Ky është Muzeu i ri Misionar i Propagandës Fide, paraqitur sot paradite nga zëvendësekretari i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve Atë Masimo Çençi, dhe nga zëvendësekretari i Komisionit Papnor për të Mirat Kulturore të Kishës, prof. Françesko Buraneli. Ekspozita, prej afro 1250 metrash katrorë, është tepër e pasur me kryevepra dhe objekte që tregojnë takimin e Ungjillit me kulturat e të pesë kontinenteve.

Papët e dinin mirë kuptimin e fjalës “mision”, që 500 vjet më parë. Mision do të thotë të kesh një plan edukues dhe një botë që duhet përfaqësuar, e të dyja këto, së bashku, duhet të përcillen me një stil të veçantë. Kuptohet vetvetiu atëherë se cili është qëllimi kulturor dhe artistik i një Muzeu që lindi nga një organizëm vatikanas si Propaganda Fide, e cila që prej viti 1627 ka si detyrë kumtimin e Ungjillit. Pikërisht këtë prof. Buraneli e ilustroi me mjaft qartësi, duke shpjeguar se shpirti i muzeut janë vetë fjalët e Jezusit thënë apostujve: “Shkoni dhe mësoni të gjithë popujt!”
Le të ndjekim, në mikrofonin tonë vetë prof. Buranelin:

“Misioni identifikohet në njëfarë mënyre me objektet dhe me emrin e Muzeut Misionar të Propagandës Fide, sepse sot për sot, një muze nuk është gjë tjetër veçse një pikëtakimi e kulturave të ndryshme. A nuk ishte me vend atëherë të vihej në dispozicion e gjithë kjo trashëgimi që kishim këtu në dikaster, fryt i takimit ndërmjet këtyre kulturave? Ne kemi një sektor me piktura italiane, romake me një vlerë të jashtëzakonshme artistike. Po ashtu kemi edhe dokumente, vepra, piktura që misionarët ose misionet dërgonin në Romë. Prandaj ky muze është i shumëanshëm. Nuk duhet të habitemi, pra, nëse gjejmë aty piktura japoneze apo feçka fildishi afrikane pranë e pranë emrave të mëdhenj të artit italian".

Në pallatin e Propagadës Fide, në Sheshin e Spanjë, në Romë, një ndër etapat e para është teknologjia. Në databazë mund të konsultohen më se 10 mijë fotografi të Agjencisë Fides të cilat dokumentojnë vite të tëra të udhëtimeve misionare, duke ua kthyer atyre përmasën apostolike e disi aventurore. Ka pastaj vizatime dhe raporte udhëtimesh, letra e shtampa, me mijëra vëllime, shumë prej të cilave tepër të vjetra, të Bibliotekës Bernini, të cilat e shoqërojnë vizitorin kudo. Gjithçka është mbledhur e kataloguar me kujdes sipas asaj që bën një misionar kur kumton Ungjillin në një vend të cilin nuk e njeh ende: sipas inkulturimit.
Vazhdon prof. Buraneli:

Përgjigje: Po. Ky është një nga aspektet e këtij Muzeu. Sot, mund të themi se ka një vlerë tepër të madhe etno-antropologjike. Është një muze ku përjetohet ky takim i kulturave që u pat kryer nga misionarët, me respekt dhe duke i vlerësuar kulturat e vendit ku shkonin; duke vlerësuar dallimet dhe ngjashmëritë në një botë ku fatkeqësisht globalizimi, nëse nga një anë ka sjellë pasuri, në tjetrën i ka zhdukur të gjitha ato dallime dhe vlera që mbarte secila kulturë në vetvete.

Atë Masimo Çençi, rregulltar i Institutit Papnor të Misioneve Jashtështetit, për një farë kohe misionar në Amazonë, gjatë konferencës për shtyp që drejtohej nga Atë Federiko Lombardi, vuri në dukje se një pasuri e tillë kulturore dhe artistike mund të kuptohet vetëm nëse kur hyjmë në këtë muze nuk harrojmë se ajo çka gjejmë aty është fryti i shpirtit dhe i traditës baritore:

Përgjigje: Ne na interesonte kryesisht të pohonim edhe njëherë dhe të paraqisnim identitetin, kuptimin dhe domethënien e Kongregatës Misionare që është pikërisht Propaganda Fide. Na u duk me vend, pra, të përshkonim një udhë që në fund të fundit vë në pah bukurinë e jetës misionare të Kishës. Kisha është bërë për njeriun: Zoti i dhurohet njeriut për ta shpëtuar. Dhe pikërisht çasti tepër i bukur që na propozoi Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI në Sheshin e Spanjës, ditën e Zojës së Papërlyer, përmbledh krejt shpirtin e misionit.

Pyetje: Ky muze që vë në pah vitalitetin e vjetër të Kishës misionare a mund të quhet shpresë për të ardhmen e misionit të Kishës?

Përgjigje: Unë shpresoj pikërisht që misioni të marrë vrull rishtas. Shpresoj që kjo bukuri t’i entuziazmojë njerëzit e t’i japë një përmasë të re besimit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.