2010-12-09 14:47:43

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Haxhinasto takime me senatorë e kongresmenë amerikanë për zhvillimet në Shqipëri e Kosovë


Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Uashington, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqirërisë, i Edmond Haxhinasto, zhvilloi disa takime në Kongresin Amerikan. Me ftesë të Senatores Emy Klobuchar, Ministri Haxhinasto mori pjesë në një mëngjes pune me disa senatorë, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Grupit të Mazhorancës Demokrate, Herry Reid.
Në këtë takim, Ministri i Jashtëm bëri një prezantim të reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, si dhe prezantoi arritjet në fushën ekonomike. Në vijim të aktiviteteve në Kongres, Ministri Haxhinasto, u takua me Kongresmenin Gary Peters. Gjatë takimit u bisedua mbi rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në stabilitetin e Ballkanit dhe prosperitetin e rajonit. Ministri Haxhinasto informoi Kongresmenin Peters mbi kushtet e favorshme që Shqipëria ofron për investitorët e huaj e në mënyrë të veçantë, ata amerikanë. Duke iu referuar faktit se në Shtetin e Miçiganit ka një prani të konsiderueshme të diasporës shqiptare, kongresmeni Peters shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai u shpreh se komuniteti shqiptar është një komunitet dinamik dhe mjaft mirë i integruar në jetën e biznesit amerikan dhe shtoi se do të mbetet një mik i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve.
Një vend të veçantë në agjendën zyrtare të vizitës së Ministrit Haxhinasto në Uashington, zuri takimi me Senatorin republikan John McCain. Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht kontributin e vendit tonë në Afganistan.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme informoi Senatorin McCain, lidhur me progresin dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Senatori McCain, vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjet dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e demokracisë, duke e cilësuar atë si një histori suksesi. Më tej, ai theksoi se duhet të bëhet më shumë që këto arritje dhe suksese, t'i bëhen të njohura të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Senatori McCAin falenderoi Ministrin Haxhinasto për kontributin e Shqipërisë në Afganistan me kontingjentin e trupave të dërguara atje. Gjithashtu, Senatori McCain, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Rajonit dhe në krijimin e një klime politike bashkëpunimi e zhvillimi.
Në këtë kontekst u nënvizua edhe roli i pozitiv i shtetit të ri të Kosovës, si faktor stabiliteti në Rajon. Ministri Haxhinasto vlerësoi lart rolin dhe kontributin që Senatori McCain ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke nënvizuar anëtarësimin në NATO, si dhe për pavarësinë e Kosovës.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, pati një drekë pune me Kongresmenin Engel. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi progresin e arritjet e Shqipërisë, rolin dhe kontributin e saj si anëtare e NATO s në stabilitetin e rajonit. Kosova dhe procesi i njohjeve të reja të pavarësisë së saj, ishte një nga pikat kryesore të kësaj bisede. Ministri Haxhinasto vlerësoi lart rolin dhe kontributin e veçantë që Kongresmeni Engëll ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe për njohjen e shtetit te ri te Kosovës. Sipas z. Haxhinasto, shqiptarët janë mirënjohës për mbështetjen, dedikimin dhe angazhimin e Kongresmenit Engel për mbështetjen e progresit të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit dhe SHBA. Nga ana a tij, Kongresmeni Engëll vlerësoi reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në këto vitet e fundit dhe rikonfirmoi angazhimin e tij për çuarjen më tej të procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Gjatë bisedës, Ministri Haxhinasto bëri një prezantim të arritjeve në fushën ekonomike, si dhe ne drejtim të luftës kundër korupsionit. Gjithashtu, Ministri Haxhinasto njohu Kongresmenin Engel me procesin e integrimit të vendit në BE. Ministri Haxhinasto zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NACC) në selinë e këtij këshilli. Ata diskutuan mbi veprimet e përbashkëta, për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, si dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.