2010-12-08 11:27:34

Sot më 8 dhjetor Kisha na fton të kundrojmë misterin e Virgjërës Mari zënë pa mëkat të rrjedhshëm


Në fillim të Kohës së Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. E festa e Zojës së Papërlyer është ndër festat më të bukura e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjërës Mari. Në këtë festë të të Zanunit të Pafaj të Virgjërës Mari, besimtarët e krishterë me mirënjohje të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin që Ai na dhuroi në personin e Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha e kremron sot më 8 dhjetor.
Mbi këtë solemnitet e domethënien e festës së Zojës së Papërlyer, flasim me kardinalin Angjelo Komastrin, i cili na shpjegon rolin e Virgjërës Mari në rrugën e shëlbimit, natën e solemnitetit të Zojës së Papërlyer.
Përgjigje: - Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikëri të jashtëzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgënjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli. Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e ri-mendon, e ri-mediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin. Maria është krijesë e jashtëzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qendrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje.

Hirësi, në këtë kohë pritjeje, si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, së bashku me Marinë?
Përgjigje: - Duhet të përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. Kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjën larg nga shtëpia? Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjës? Por sigurisht Maria i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që ia tha Engjëllit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash”. Ne duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta bërë përsëri rrugën e Betlehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë perëndimore, vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale. E dimë se vlen vetëm Zoti: është mësimi i Krishtlindjes. E për ta përvetësuar këtë mësim, Maria është mësuesja më e mirë; në sa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumni Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.
Kisha në këtë ditë dhe festë na mëson dhe ne besojmë në këtë të vërtetë të fesë se Maria, qysh prej momentit të parë të jetës së vet, ishte e liruar nga mëkati dhe e zënë pa mëkate të rrjedhshëm. Bëhet fjala mbi të të zanunit e Marisë nëpërmes prindërve të vet Joakimit dhe Anës. Maria lindi si fëmijë prej prindërve të saj në mënyrë natyrore. Ajo e pranon hirin prej Jezu Krishtit me anë të vdekjes së tij në kryq.
Kjo dogmë, kjo e vërtet e fesë, që ne sot e kremtojmë u definua dhe u lajmërua zyrtarisht si, doktrinë krishtere, prej Papës Piu IX, më 08.12. 1854, "Virgjëra Mari që nga momenti i ngjizjes, sipas hirit të veçantë dhe përligjjes së Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe sipas meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të të gjithë njerëzve, u ruajt e paprekur nga çdo njollë mëkati të rrjedhshëm“. Maria e pranon planin e Zotit, Maria ishte Eva e Re, e cila mbeti pa mëkate dhe u bë "Nëna e të gjithë të gjallëve". Etërit e kishës e shikojnë në „Maria Immaculata“, një fotografi për „Ecclesia Immaculata“, dhe për shëlbimin tonë nëpërmes Krishtit. Ne e festojmë edhe misterin e shëlbimit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.