2010-12-08 18:46:27

Papa para shtatores së Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës: mesazh besimi e shprese, për formimin e një familjeje të madhe, pa kufij kombësie, ngjyre, gjuhe!


(08.12.2010 RV)Sot pasdite, sipas traditës, Benedikti XVI shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur një shportë me lule të bardha e për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX më 1854.
Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, ku Papa Gjon Pali II pati përuruar më 1995 misionin qytetar në përgatitje të Jubileut të Madh të 2000-shit, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7. 30 një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorat e para me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata, që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Vizitën e parë te këmbët e kësaj shtatoreje e bëri Papa Piu XII më 1957.
Ndërsa sot, te këmbët e Shtatores së Zojës të zënë pa mëkat, u gjunjëzua, për herë të katërt, Benedikti XVI, i pritur nga kardinali-mëkëmbës, Agostino Valini, nga kryetari i bashkisë së Romës, Xhani Alemano e nga nga një turmë e madhe besimtarësh e shtegtarësh, mbledhur në Shesh për t’iu lutur Zojës së Papërlyer. E lutja – theksoi Papa – është dhurata më e këndshme që mund t’i bëjmë Zojës, të cilën e kemi në zemër e i kërkojmë vazhdimisht ndërmjetësim për fatet tona, për nevojat, familjen, shëndetin, punën, vështirësitë e trazirat, duke e falënderuar për dhantinë e fesë e për të mirat që na dhuron çdo ditë Zoti.
Por kur vijmë këtu, posaçërisht në festën e 8 dhjetorit – kujtoi Ati i Shenjtë – ka më shumë rëndësi dhurata, që marrim nga Maria, sesa ajo që i japim. Zoja ka një mesazh për secilin nga ne, për Romën, për mbarë botën. Edhe unë, që jam ipeshkëv i këtij Qyteti, vij për të dëgjuar ç’ dëshiron të më thotë Maria, e jo vetëm mua, por të gjithëve:
“Ç’na thotë Maria? Na flet me Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharorin e saj. Mesazhi i Zojës s’është tjetër, veçse Jezusi. Ajo është e Papërlyer pikërisht nëpërmjet Tij e për Të. E ashtu si Biri i Hyjit u bë njeri për ne, ashtu edhe Ajo, Nëna, u ruajt nga mëkati për ne, për të na kujtuar se shëlbimi i Zotit na përket të gjithëve, se jemi të thirrur t’ia hapim zemrat Shpirtit Shenjt, që të mbërrijmë, kështu, në cakun tonë të mbramë të panjollë, përfundimisht e plotësisht të lirë nga e keqja”.
E për këtë na siguron vetë Maria, e cila na shikon me sytë e saj plot shpresë e mëshirë, në sa duket sikur na thotë:
Mos kij frikë, bir, Zoti të do, të do personalisht, ka menduar për ty, para se të vije në botë e të thirri në jetë për të të mbushur me gjallëri e me dashuri. E prandaj erdhi të takohet me ty, u bë si ti, u bë Jezus, Zot-Njeri, krejt i ngjashem me ty, me një dallim të vetëm: ai është pa asnjë mëkat. Dhuroi, pastaj, edhe vetveten për ty, deri në kryq, e kështu të fali një jetë të re, të lirë, shenjte e të papërlyer”.
Këtë mesazh na jep Maria – vijoi Papa – e kur vij këtu, në këtë festë, më prek thellë, sepse u drejtohet të gjithëve, edhe atyre që nuk u bie fare ndër mend se sot është festa e Zojës së zënë pa mëkat e, sidomos, atyre që e ndjejnë veten të braktisur:
Syri i Marisë është syri i Zotit mbi çdo njeri. Ajo na shikon me dashurinë e vetë Hyjit e na bekon. Është “avokatja jonë”, siç e thërrasim në “Të falemi Mbretëreshë”.
Edhe në se të gjithë do të flisnin keq për ne – i siguroi besimtarët Papa – Nëna do të fliste vetëm mirë, sepse zemra e saj e papërlyer përkon plotësisht me zemrën plot mëshirë të Zotit. Me këtë sy e shikon ajo Qytetin, si konstelacion në të cilin Zoti i njeh të gjithë, një për një, i thërret me emër, për t’i ndriçuar me dritën e Tij. E ata që për sytë e botës janë të fundmit, për sytë e Zotit janë të parët; më të vegjëlit për botën, janë më të mëdhenjtë për sytë e Zotit.
Nëna na shikon ne, ashtu si e pa Zoti atë, Vashën e përvuajtur të Nazaretit, krejt pa vlerë para syve të botës, por tejet e zgjedhur dhe e çmuar për sytë e Zotit. Zoti shikon në secilin nga ne ngjashmërinë me Birin e tij, ndonëse shpesh ndryshojmë aq shumë. Po kush më mirë se ai, e njeh hirin hyjnor? Kush më mirë se ai e di se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur? Se ai është në gjendje ta shndërrojë të keqen në të mirë?
“Ja, pra, të dashur vëllezër e motra, mesazhi që marrim këtu, tek këmbët e Zojës së Papërlyer! Është mesazh besimi për çdo njeri të këtij qyteti e të mbarë botës. Mesazh shprese, që Zoja na e pëcjell jo vetëm me fjalë, por me vetë historinë e saj; ajo, njeri si ne, që nxori në dritë Birin e Hyjit e që e shkriu gjithë jetën për Të”.
E sot Zoja na thotë: ky është edhe fati yt, fati juaj, fati i të gjithëve: të jeni të shenjtë, si Ati ynë, të jeni të papërlyer, si Vëllau ynë, Jezu Krishti, të jeni bij të dashur të të njëjtit Atë, për të formuar, kështu një familje të madhe, pa kufij kombësie, ngjyre, gjuhe, sepse një i vetëm është Zoti, Atë i të gjithë njerëzve.
Në përfundim Benedikti XVI e falënderoi Zojën, pse është gjithnjë me ne e iu lut: ngushëlloi të sëmurët, jepu zemër të rinjve, ndihmoi familjet. Na jep forcë ta flakim tutje të keqen, në të gjitha format e saj, e të zgjedhim të mirën, edhe kur përpjekja për të shkuar kundër rrymës, kushton shumë shtrenjt.
Na e jep gëzimin ta ndjejmë se Zoti na do, se na shikon si fëmijët e vet.
O Virgjër e Papërlyer, e ëmbla Nëna jonë, lutu për ne - ishin fjalët, me të cilat Papa e përfundoi takimin e vitit 2010 me besimtarët tek këmbët e Zojës së Papërlyer në zemër të Romës, në sa ditët rendin e kalendari i afrohet datave të festave më të mëdha të fundvitit: Krishtlindjes e Vitit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.