Papa: e keqja avancon mirëpo përdëllimi i Zotit është më i fort
Në botën e sotme, “fatkeqësisht çdo ditë ne e përjetojmë të keqën, që shfaqet në shumë
mënyra e forma në marrëdhënie e në ngjarje të ndryshme”. Për këtë, kurrë më shumë
se sot, pohoi Papa Benedikti Xvi gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, “misteri i Zojës
së Papërlyer, i të Zënit pa mëkat të Virgjërës Mari, është burim e dritës së brendshme,
e shpresës dhe ngushëllimit”. “Në mesin e sprovave të jetës e posaçërisht të kundërshtimeve
që njeriu përjeton brenda vetes e rreth vetes – vërtetë – Maria, Nëna e Krishtit,
na thotë se Hiri i Zotit është më i fort e më i madh se mëkati, se Përdëllimi i Zotit
është më i fuqishëm se e keqja dhe di ta shndërrojë në të mirë”. Me fjalë impenjuese
e të forta Papa teolog e kujton edhe rolin e Shejtanit, për të përkujtuar se i keqi
dhe e keqja “ e kanë rrënjën e vet në zemër të njeriut, në zemër të plagosur, të sëmurë,
e cila është e paaftë të shërohet vetvetiu”. “Bibla – kujtoi Papa – na zbulon se zanafilla
e çdo të keqe qëndron në mosdëgjimin e mosbindjen ndaj vullnetit të Zotit, e se vdekja
ka mbizotëruar sepse liria njerëzore ka ra në tundime të të Keqit”. Duke iu drejtuar
mase 50 mijë besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për lutjen
e Engjëllit të Tënzot, Papa Racinger shpjegoi se pikërisht me kundërmimin dhe opozitën
ndërmjet së mirës e së keqes, qëndron domethënia e dogmës së Zënies së Papërlyer shpallur
nga Papa Piu IX dhe më pas njoftoi se sot pas dite do të bëjë nderimet tradicionale
Virgjërës së Papërlyer si çdo vit në sheshin Spanja në Romë.