2010-12-08 19:34:39


(08.12.2010 RV)Në meditimin e nëntë të Kohës së Ardhjes, u njohëm me dy miq qiellorë që, sipas gojëdhënës, në dy javët e para trokasin në shtëpitë tona e në zemrat tona.
Javën e tretë nga qielli zbret Engjëlli i bardhë. Rreh flatrat e tejdukshme mes flokëve të dëborës, rreth globit, që vijon rrotullimin, e zbret mbi shtëpitë tona, i veshur me një mantel të ndritshëm. Në dorë mban një rreze dielli. Zbret për të takuar njerëzit, që e kanë zemrën plot me dashuri e i prek me rrezen e dritës. Flakëza e rrezes u vezullon në sy e dhimbja shkrihet, si bora e re.
Ndërmjet sa e sa shtigjeve, që zhdridhen dheut në rrotullim, Engjëlli çel shtegun që çon në majat më të larta, ku edhe njeriu bëhet krejt i bardhë! E ndjehet i lum sepse, në mes të dimrit të acartë e të errët, zemra e tij ngrohet e ndritet me ngrohtësi e dritë Parrizi, të cilin e provon mbi tokë vetëm kush i kushtohet plotësisht Foshnjës hyjnore, që presim. Dielli xixëllon në sytë e tij, ia mbështjell duart, këmbët e gjithë trupin me dritë. E është sidomos njeriu i varfër e i përvuajtur, ai që shndërrohet kështu në dritë, duke u bërë i ngjashëm me engjëjt, sepse zemra e tij është plot me dashuri.

Engjëlli ngjyrë vjollcë zbret nga qielli javën e katërt. Quhet kështu, sepse manteli i tij është pikërisht me këtë ngjyrë. Fluturon mbi tokë, duke mbajtur në krahun e majtë një harpë të artë. Luan gishtat mbi telat e saj e dheu mbushet plot me tinguj hyjnorë. Zoti po vjen, është fare pranë...
Ngjyra vjollcë përftohet nga bashkimi i blusë me të kuqen, prej këndej, manteli vjollcë simbolizon dashurinë e vërtetë, të thellën, e cila lind kur lutesh në heshtje e dëgjon një zë, që të pushton të tërin, përgjithëjetë. Zërin e Zotit brenda nesh!







All the contents on this site are copyrighted ©.