2010-12-07 13:29:53

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Historia e Engjëjve të Kohës së Ardhjes.


Historia e Engjëjve të Kohës së Ardhjes është pak e njohur në traditën shqiptare. T’i takojmë, prandaj, duke ua hapur portat e shtëpive e të zemrave. Sipas gojëdhënës, janë katër. Zbresin nga qielli, për të vizituar tokën, me veshje ngjyrash të ndryshme. Secili ka një tipar të veçantë.

Engjëlli blu: është një engjëll i madh, që zbret nga qielli për t’i ftuar njerëzit të përgatiten për Krishtlindje. Mbështillet me një mantel blu, të endur me heshtje e paqe.
Bluja e mantelit të tij përfaqëson pikërisht heshtjen e lutjen e thellë.

Engjëlli i kuq quhet kështu, sepse është i veshur me mantel të kuq. Zbret nga qielli, duke mbartur në dorën e majtë, një shportë të zbrazur. Nuk është e thurur me thupra të zakonshme, si të gjitha shportat, por me rreze dielli e mund të mbartë vetëm gjërat më të lehta e më delikate. Engjëlli i kuq troket portë në portë, hyn shtëpi në shtëpi e kërkon. Kërkon, në zemrat e njerëzve, pak dashuri. Kur e gjen, e merr dhe e vë në shportë. Rreh flatrat pastaj, me shportën plot dashuri, drejt qiellit, ku banojnë të gjithë ata, që janë varrosur në tokë e të gjithë engjëjt. Shpirtrat e ndritur e engjëjt e marrin dashurinë e bëjnë me të, dritë për yjet.
E kuqja e mantelit të Engjëllit të dashurisë e të dritës, është pikërisht simbol i dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.