(07.12.2010 RV)Përfundoi pak para
mesditës së sotme, në Londër, fshehja e themeluesit të faqes internet Uikiliks, Xhulian
Asanzh. 39-vjeçari australian u dorëzua vetë në policinë britanike. Për të ishte lëshuar
një mandat i Interpolit, i cili e detyron të përgjigjet para “akuzave për agresion
seksual e përdhunim” në dëm të dy grave në Suedi, gushtin e kaluar. Sot, Asanzh u
paraqit në Gjykatën e Uestminsterit, në Londër. Në sfondin e këtij dorëzimi, ekstradimi
i mundshëm në SHBA-të, që themeluesi i Uikiliks e kundërshton kategorikisht. Publikimi
i dokumentave të diplomacisë amerikane në faqet e internetit, po krijon probleme dhe
tensione në rang ndërkombëtar. Ky botim, i menduar si shprehja më e lartë e demokracisë,
a e ndihmon atë vërtet? Përgjigjet në mikrofonin tonë, drejtori i Institutit të
Shkencave të komunikimit në Francë, Dominik Uolton: Nëse informacioni vë
në rrezik personat, mendoj se liria e shtypit duhet ta marrë parasysh këtë. E gazetarët
duhet ta dinë fort mirë, sepse shpesh, ata vetë kërcënohen nga situata të ndryshme
në botë. Nuk e kuptoj, në emër të cilës së drejte apo detyre informimi, duhen rrezikuar
e dobësuar njerëzit, të cilët nuk janë kompiutera. E dimë mirë sa është e nevojshme
ushtrimi i kritikës, themelore për gazetat e gazetarët, por me kusht, që ajo të bazohet
në rezultatet e një pune hetimore. E ky nuk është rezultati i ndonjë pune hetimore,
është vjedhje. Pra, sipas jush, kjo lloj transparence nuk i shërben demokracisë? Nuk
mendoj se kjo mund ta rrisë besueshmërinë e shtypit dhe të demokracisë. Kur ka elemente,
që hyjnë në shumë sekrete, jetohet sipas logjikës së dyshimit e të denoncimit, por
kjo nuk është demokraci. Demokracia nuk qëndron në supozimin se krejt pushteti është
“i kalbur”, përveç, pa dyshim(ironizo), pushtetit të katërt, informacionit. Demokraci
do të thotë t’u tregosh qytetarëve se ç’është mirë e ç’është keq nga pikpamja shoqërore,
përmes mediave dhe sektorëve të tjerë. Nuk mund të imagjinojmë se ka gjithnjë komplote
apo strategji gënjeshtrash, kudo… Duke bërë kështu, qytetarët nuk do të kenë më besim
në pushtetin politik, ushtarak e diplomatik, e as në mjetet e informacionit. Pyesim
atëherë: përse mediat bëhen, ato vetë, megafonat e Uikiliks? Mungesa e reflektimit
në media nuk është e vetme, edhe bota akademike nuk është më e mirë. Mungesa e reflektimit
në media mbi kufijtë e internetit kalon në marrëzi. Ka një sasi të jashtëzakonshme
informacioni e mendohet se sa më shumë të ketë, aq më demokratë jemi. Në këtë rast,
thuhet se informacioni nuk mund të verifikohej, sepse ka qenë konfidencial, sekret.
Gazetari atëherë referon lajme, që ai vetë nuk i ka verifikuar. Ky është turp, pasi
deontologjia e gazetarëve nuk e lejon publikimin e këtij lloj materiali. Jemi pra,
në krahun e kundërt me vlerën e lirisë së shtypit. Mjetet e informacionit nuk arrijnë
të mbajnë një distancë kritike nga materiali, që u propozohet. Zemra, thelbi i informacionit
në botë përfaqësohet nga lajme të verifikuara e të referuara nga gazetarët. Ka informacione
të paverifikuara, por në atë rast, detyra jonë, vetë madhështia e punës sonë qëndron
në marrjen e këtij vendimi të ndërgjegjshëm: të mos përhapet e të mos botohet lajmi.
Shpesh justifikohemi duke thënë se e kemi për detyrë të informojmë, ose vemë një maskë,
duke thënë se nëse nuk e botojmë ne, do ta bëjë një gazetë tjetër. Por pasojat e konkurrencës
së brendshme ndërmjet mediave nuk mund të justifikojnë heshtimin e ndërgjegjes, për
të botuar sa më shpejt të jetë e mundur lajmin, pavarësisht si është ai. Cili
është rreziku në kontekstin e globalizimit? Globalizimi i informacionit
është si pallat, që mund t’i ketë themelet në zëra, pëshpëritje, skandale… Duke bërë
kështu arrijmë pikërisht tek rezultati i kundërt: vetëdija demokratike nuk rritet,
por ama rritet refuzimi i demokracisë. Ja pra, si po e ndërtojmë pallatin e zërave
dhe të gjithë atyre vullneteve, që kanë për qëllim reduktimin e lirisë së informacionit. Sipas
jush, nuk e kemi të qartë plotësisht se ç’është vërtet liria e informacionit? Liria
e informacionit nuk është krijimi i një lloj kanali ndërmjet aktorëve politikë, ushtarakë
apo diplomatikë dhe shtypit: përndryshe gazetarët nuk do të shërbenin për asgjë. Puna
e një gazetari është zgjedhja ndërmjet lajmeve, që i mban për vete, për t’i ditur
ai vetë, si kulturë personale dhe, atyre, që boton e për të cilat merr përgjegjësi
para opinionit publik. Autoçensura është pjesë e jetës politike e nuk duhet parë si
hipokrizi. Thjesht për të pasur sa më shumë informacion, gazetarët harrojnë se madhështia
e punës së tyre qëndron në mosnënshtrimin, në distancimin nga burimet e informacionit.
Nëse e bëjnë këtë, besueshmëria e tyre në botë rritet. Por, siç mund ta shohim edhe
vetë, gjatë 20 vjetëve të fundit, kjo besueshmëri ka rënë shumë, shenjë e qartë se
duke botuar çdo lloj informacioni i largojmë njerëzit nga shtypi.