2010-12-07 15:25:53

Shpejt ipeshkvijtë irakianë do të flasin para Parlamentit Evropian për tragjedinë e të krishterëve.


(07.12.2010 RV)“Do të shkojmë në Parlamentin Evropian ku do flasim për gjendjen tonë dhe do të ngrejmë zërin në Evropë duke ia treguar hallin e frikën që kemi por edhe se nuk kemi ndërmend ta braktisim vendin.” Kështu ia shpjegoi agjencisë Sir arsyet e vizitës së një delegacioni ipeshkvijsh irakianë pranë Parlamentit Evropian në program për 14 dhe 15 dhjetor, vikari patriarkal kalde i Bagdadit, Imzot Shlemon Varduni.
Delegacioni përbëhet nga kryeipeshkijvtë siro-katolikë të Bagdadit dhe të Mosulit Imzot Mati Shaba Matoka, Imzot Xhorxh Kasmusa si edhe vetë Imzot Varduni. Nisma zhvillohet në kuadrin e një varg iniciativash që kanë si qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe të organeve ndërkombëtare për dhunën që ushtrohet kundër të krishterëve në Irak. Këtu përfshihet edhe Dita e Agjërimit për martirët e katedrales siro-ortodokse të Bagdadit, caktuar për më 9 dhjetor nga Këshilli i kryetarëve të fesë së krishterë në Irak. “Në këtë këndvështrim merr kuptim edhe kërkesa jonë drejtuar besimtarëve që të mos festojnë dhe mos të shpenzojnë për festat e kohës së Krishtlindjes” shtoi Imzot Varduni. Kjo kërkesë është bërë nëpërmjet një mesazhi të ipeshkvijve të besojmave të ndryshme të krishtera të pranishme në Irak të cilët i kërkojnë besimtarëve t’iu rrijnë pranë familjeve të viktimave dhe të marrin pjesë në Meshën e Krishtlindjes me këtë ndjet në zemër. Po ashtu iu bëhet thirrje të krishterëve të jenë të vëmendshëm kur vizitojnë një kishë por pa pasur frikë nga thashethemet për atentate të mundshme.
Në intervistën dhënë agjencisë Sir, vikari kalde Varduni e përkufizon themelimin e një komisioni parlamentar dhe të një task-force nga ana e qeverisë për mbrojtjen e pakicave të krishtera si një hap përpara. “Nuk duam privilegje por vetëm respektimin e të drejtave tona.” nënvizoi në fund imzot Varduni.







All the contents on this site are copyrighted ©.