2010-12-07 16:20:37

Duket se përmirësohet gjendja në Shkodër. Deri tani 14 mijë ha nën ujë dhe 14 mijë të evakuuar.


(07.12.2010 RV)Situata në qarkun e Shkodrës duket se është përmirësuar sot disi, por gjendja në zonat e përmbytura vazhdon të mbetet kritike. Për herë të parë që prej një jave niveli i ujit në qytet shënoi sot një rënie prej 25 cm si pasojë e uljes së shkarkimeve në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Megjithatë situata në qytet mbetet tepër kritike, veçanërisht në lagjet Xhabiej, Perash, Tophanë, Kiras e Livade. Po sot u lirua edhe aksi rrugor Shkodër-Tiranë, tek Harku i Bërdicës, ndërsa vazhdon të jetë problematik kalimi i urës së Bunës. Këtu qarkullohet vetëm me kamiona për t’i çuar ndihma zonës së Muriqanit dhe Shirokës që kanë mbetur të izoluara. Po ashtu rruga Shkodër-Shirokë është mbuluar nga uji. Veçanërisht dramatike është situata në komunat e Bushatit, Velipojës, Dajçit, Samrishit dhe Ana e Malit të cilat janë përmbytur tërësisht dhe banorët janë evakuuar.
Shtabi i emergjencave, deri tani flet për 14 mijë ha dhe 14 mijë shtëpi të përmbytura në qytet e në fshatrat përreth, por nuk janë të paktë banorët që nuk kanë pranuar t’i braktisin shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre e kalojnë natën në terracat e pallateve në të ftohtin e dimrit që ka filluar të ndihet në pritje të tërheqjes së ujit. Kudo në terren vazhdon shpërndarja me barka e ndihmave ushqimore dhe e ujit të pijshëm organizuar nga ushtria dhe forcat e rendit.
Përsa i përket frikës për përhapjen e epidemive duket se hëpërhë nuk ka pasur raste të tilla. Ministri shëndetësisë, Petrit Vasili tha se gjendja është nën kontroll, por në rast nevoje, mjekë nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani janë të gatshëm të ndihmojnë në fshatrat e përmbytura.







All the contents on this site are copyrighted ©.