2010-12-06 17:24:23

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës që t’i jepet fund dhunës e intolerancës, atentatet në Irak, ndeshjet në Egjipt dhe drama e refugjatëve eritreas


(06.12.2010 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi, së pari, se dje kremtohej e Diela e dytë e Kohës së Ardhjes dhe u bëri thirrje të krishterëve për kthimin e zemrave, thirrje që u drejtohet njerëzve të të gjitha kohëve nga faqet ungjillore, me zërin e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të brigjeve të Jordanit. Ai u kujton të gjithëve – shtoi Papa – se Mbretëria e Qiellit është fare pranë! Prej këndej, Ati i Shenjtë uroi që Koha e Ardhjes të shfrytëzohet si rast i përshtatshëm për t’ia përgatitur rrugën Zotit, në zemrat tona.
Pas Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një thirrje të fuqishme e prekëse, që t’u jepet fund situatave të dhunës, të intolerancës e të vuajtjes, të cilat nuk mungojnë në të katër anët e botës.
Në këtë Kohë të Ardhjes, gjatë së cilës të krishterët janë të thirrur të vigjëlojnë, duke pritur Zotin, t’ia përgatisin rrugën e t’ia hapin miqësisht portat, Papa i porosit besimtarët të luten për të gjithë ata, që vuajnë për shkak të atentateve, të dhunës e të formave dramatike të shfrytëzimit:
“Ju ftoj të luteni për të gjitha situatat e dhunës, të intolerancës, të vuajtjes në mbarë botën, që ardhja e Krishtit të sjellë ngushëllim, pajtim e paqe. Mendoj për shumë situata të vështira, si atentatet e vazhdueshme kundër të krishterëve e myslimanëve në Irak; për ndeshjet në Egjipt, gjatë të cilave pati shumë të vdekur e të plagosur; për viktimat e trafikantëve kriminelë, si drama e pengjeve eritreas e të kombësive të tjera, në shkretëtirën e Sinait. Nuk mund të ketë bashkëjetesë, pa respektimin e të drejtave të të gjithëve. Uroj që lutja jonë drejtuar Zotit e solidariteti ynë, t’u ngjallin shpresat mbarë atyre që vuajnë”.
Në Kohën e Ardhjes – shtoi Benedikti XVI – jemi të thirrur ta dëgjojmë zërin e Zotit, që jehon në shkretëtirën e botës përmes Shkrimeve, posaçërisht kur predikohen me forcë nga vetë Shpirti Shenjt:
“Feja fuqizohet, sa më shumë ndriçohemi nga Fjala hyjnore, nga gjithçka që, siç na kujton Shën Pali Apostull – është shkruar para nesh... për të na mësuar që, falë qëndrueshmërisë e ngushëllimit, të cilat burojnë nga Shkrimet Shenjte, ta mbajmë gjithnjë të gjallë shpresën”.
Modeli i dëgjimit të Fjalës së Zotit, është Maria:
Duke kundruar jetën e Nënës së Jezusit, të modeluar plotësisht nga Fjala e Zotit, zbulojmë se edhe ne jemi të thirrur të hyjmë në misterin e fesë, përmes së cilës Krishti vjen të banojë në jetën tonë. Çdo i krishterë, që beson, na kujton Shën Ambrozi, në një farë mënyre e zë në kraharuar dhe e lind Fjalën e Zotit”.
Shëlbimi ynë – nënvizoi Ati i Shenjtë duke kujtuar fjalët e teologut Romano Guardini – mbështetet mbi një ardhje. Ugjilli i sotëm – vërejti Benedikti XVI – na paraqet figurën e Gjon Pagëzuesit. Profeti i bën thirrje popullit të kthehet në rrugën e Zotit, që të jetë, kështu, gati për ardhjen e shpejtë të tij:
“Pararendësi i Jezusit, që vendoset ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e Besëlidhjes së Re, është si yll, që i paraprin lindjes së Diellit, Krishtit, mbi të cilin, sipas profecisë së Izaisë profet, do të pushojë shpirti i Hyjit, shpirti i dijes e i kuptimit, shpirti i këshillit e i qëndresës, shpirti i njohjes e i frikës së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.