Më 6 dhjetor 1689 vdiq imzot Pjetër Bogdani, ipeshkvi i madh shqiptar
Si sot, më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës personaliteti
i shquar i Kishës e kulturës shqiptare, imzot Pjetër Bogdani. Ipeshkvi i madh shqiptar
vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së
vjetër shqiptare.
Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth 1625 në Has - vdiq
më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë) - prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv,
teolog dhe filozof shqiptar nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe
Kosovë. Lindi në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac,
Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos, po këtë vit bën
një kërkesë për studimin e medicinës dhe për lëshuarjen e Kolegjit. Më 1651 ushtron
detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes. Në vitin
1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës
së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë
e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli
si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664:
Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte
në Romë. Më 1675 e shkruan librin Çeta e profetëve dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit
Propagandës së Fidesë për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin.
Fillon përkthimin e librit. Në vitin 1677 emërtohet Arqipeshkëv i Shkupit në vend
të të ungjit, Ndre Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij
viti vdes Ndre Bogdani. Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës
latinisht–shqip të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën
e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur
për botim. Libri 'Cuneus Prophetarum' botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo.
Shkruan Relacionin e njohur nga Shkupi: Dello stato spirituale e temporale del regno
di Albania e Servia ( Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë
e Serbisë 1687–1688): Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe
u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin
1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani
niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta
arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë,
po më kot. Vdes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte
nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët
dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij. Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani
"Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip
“Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane. Ja edhe titulli origjinal
i plotë: “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi, et eius evangelica
veritate, italice, et epirotice contexta, et in duas Partes divisa”,botuar
më 1685në Padovë. "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u rishtyp më
1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas
përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme
të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në
gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime,
e bën tepër të rëndësishëm këtë libër. Karakteri origjinal i veprës duhet marrë
në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që
nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme
i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike,
këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike,
poezi. Kjo larmishmëri temash çon edhe në larmishmëri stilesh, që është një tregues
i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një
gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe. Autori ka gjetur mundësi
të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si
është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639.
Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur
në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike
e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror. Shkroi me dashuri
të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për
gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e
tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte
që t'i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe
zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Vepra
"Çeta e profetëve ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht,
sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat
shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj
të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të
lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë. Imzot Pjetër Bogdani krijoi
me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar
me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje
të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para
për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin
kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi
e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani
letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.