2010-12-06 17:24:36

Jehona e thirrjes së Benediktit XVI në botë: flet kryeipeshkvi katolik i Kirkukut, imzot Lui Sako.


Benedikti XVI, në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, i ftoi të gjithë besimtarët të luten për situatat e dhunës e të vuajtjes në botë e, ndërmjet tyre, kujtoi atentatet e përditshme në Irak, kundër të krishterëve e myslimanëve. Atentati i fundmë, i një serie pafund sulmesh kundër bashkësisë së krishterë, është ai i djeshmi, kur njerëz të armatosur hynë me forcë në një shtëpi, duke vrarë dy vetë. Për thirrjen e Papës dhe për ngjarjen tragjike, të dëgjojmë kryeipeshkvin katolik të Kirkukut, imzot Lui Sako, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: I çmojmë shumë fjalët e Papës dhe solidaritetin e tij. Është një Atë i vërtetë, që i dhimben bijtë e bijat e tij. E situata është vërtetë e dhimbshme, jo vetëm për të krishterët, por edhe për myslimanët.

Pyetje: - Për fat të keq, fjalët e djeshme të Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, u pasuan nga një sulm tjetër dramatik, viktimë e të cilit ishin dy bashkëshortë të moshuar të Bagdadit...

Përgjigje: - Këto dy të krishterë, Hikmat Sammak e gruaja e tij, Samira, e kishin shitur shtëpinë e kishin shkuar të banonin në Veri. Ishin kthyer në Bagdad dy ditë para sulmit, për të plotësuar dokumentet noteriale e për të shitur orenditë, që kishin mbetur akoma në shtëpi. Po nuk arritën. Disa kriminelë hynë në shtëpi dhe i therën me thika. Ngjarje vërtet e frikshme! A mund të thuhet se ka ngjyrime fetare? Mendoj se ngjarje të tilla janë jo vetëm në kundërshtim me çdo fe, por edhe me çdo ndjenjë humane. Janë antinjerëzore. Ne jemi pakicë e kur një i krishterë rrëmbehet ose vritet, e gjithë bashkësia tmerrohet. Nuk e dimë se ku po shkon kështu vendi.

Pyetje: - Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa theksoi edhe se Zëri i Zotit vijon të jehojë në shkretëtirën e botës...

Përgjigje: - Një zë në shkretëtirë, është tejet i rëndësishëm, sepse pikërisht në shkretëtirë njeriu ndjehet i vetëm, e prej këndej, zëri bëhet burim ndihme e shprese, është si rreze drite, në natën e verbër. Ky zë, zëri i Atit të Shenjtë, zëri i Zotit në lutje, në shërbim, na jep forcë, por në të përditshmen tonë të frikshme, ndjehet edhe nevoja e ndihmës ndërkombëtare. Kemi nevojë për ndihmë! Iraku ka nevojë për ndihmë!

Pyetje: - Dje u krijua një skuadër e posaçme e policisë irakiane, pikërisht për të mbrojtur pakicat e krishtera...

 
Përgjigje: - Nuk e besoj se mjafton për të vendosur realisht sigurinë, sepse shpesh herë, kur bëhet ndonjë atentat, askush nuk arrin ta parashikojë, e prej këndej, as ta parandalojë. Vendi është i zhytur në pështjellim, në kaos, njerëzit e kanë humbur besimin. Ne, të krishterët, jemi në shënjestër, si në Bagadad, ashtu edhe në Mosul, qytete ku nuk ka kurrfarë sigurie.







All the contents on this site are copyrighted ©.