2010-12-06 17:24:48

Drama e refugjatëve eritreas, në thirrjen e djeshme të Benediktit XVI.


Benedikti XVI kujtoi dje edhe dramën e refugjatëve eritreas e të kombësive të tjera, që mbahen peng nga trafikantët shkretëtirës së Sinait. Për këtë thirrje si dhe për gjendjen e refugjatëve, që ndodhen aktualisht në territorin egjiptian, në kufi me Izraelin, të dëgjojmë Mathilde Auvillan, kryetare e Habeshi-së, agjensi për Bashkëpunim e Zhvillim.
 
Përgjigje: - Papa bëri thirrje që të respektohen të drejtat e këtyre njerëzve e ne shpresojmë se kjo thirrje do të jetë një shtytje e fortë për autoritetet në nivel ndërkombëtar e, në mënyrë të veçantë, për autoritetet egjiptiane, që të ndërhyjnë për t’i shpëtuar këta njerëz, domethënë, për t’i liruar nga kthetrat e trafikantëve. Shpesojmë se edhe më pas do të respektohen të drejtat e këtyre refugjatëve: duhet të respektohen e të mbrohen, t’u garantohet gjithçka u njihet nga drejtësia ndërkombëtare.

Pyetje: - Ju jeni në kontakt me ta. Ç’mund të na thoni për kushtet në të cilat jetojnë?

Përgjigje: - Kushtet e tyre janë tejet të këqija, si për nivelin higjieniko-sanitar në të cilin jetojnë të gjithë, ashtu edhe për gjendjen e të plagosurve, nga shkaku i keqtrajtimeve dramatike. Ka, ndërmjet tyre, njerëz që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, në sa janë pa asnjë farë ndihme. Ka edhe gra shtatzëna, pa asnjë kontroll mjekësor, të lodhura e të këputura nga uria e etja. Pikërisht sot pata kontaktin e fundit me disa të rinj, që më folën për kushtet e tyre. Më thanë se jetojnë të lidhur me zinxhirë, se janë prej ditësh pa bukë e pa ujë, se keqtrajtohen vazhdimisht, në pritje që secili prej tyre të paguajë për lirimin e vet, shumën prej 8 mijë dollarësh. Duke pasur parasysh se ultimatumi skadoi dje, secili, përmes familjarëve, u detyrua të paguante 500 dollarë, së paku për shpëtimin e jetës. E dimë edhe se gjashtë prej pengjeve janë vrarë, pikërisht sepse nuk ishin në gjendje të paguanin. Jemi para rrezikut të vrasjeve të tjera. E këto janë lajmet e fundit, që më japin. Pengjet janë në duart e beduinëve, banorë të shkretëtirës, që i mbajnë të lidhur me zinxhirë, si mbaheshin dikur skllevërit. Duhet të pagujanë, ose të vdesin! Rrugë të mesme s’ka, në se nuk ndërhyn bashkësia ndërkombëtare për t’i shpëtuar nga një tragjedi e tillë, e pabesueshme në fillim të mijëvjeçarit të tretë.







All the contents on this site are copyrighted ©.