2010-12-05 19:57:11

Shkodër: shpërndahen ndihma ushqimore për banorët e përmbytur


Në lagjet e përmbytura dhe të izoluara nga uji në qytet, vazhdon që nga mbrëmja e djeshme shpërndarja e ushqimeve për banorët, në ndihmë të të cilëve janë 30 varka lundruese si dhe makina të ushtrisë.
Mbrëmë më se 5 mijë bukë dhe 6 ton ujë i pijshëm i ambalazhuar u shpërndanë nga strukturat e Bashkisë me anë të disa kamionëve të ushtrisë dhe varkave për banorët e zonave të përmbytura në mbarë territorin e qytetit.
Kryebashku i Shkodrës Lorenc Luka, bën të ditur për ATSH-në se "shpërndarja e ushqimeve bazë për banorët e lagjeve të qytetit të izoluar nga uji po bëhet sipas një programi të hartuar nga Shtabi i Emergjencës me në 5 drejtime kryesore brenda territorit të lagjeve si dhe Shirokë e Zogaj.
Luka bën të ditur se në dispozicion janë 30 varka dhe mjete të tjera motorike lundruese, të cilat mund të shkojnë deri në destinacionet e përmbytura nga ujit pranë qytetarëve të izoluar.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Ilir Meta, i shoqëruar nga ministri i transportit, Sokol Olldashi inspektuan mbrëmë Stacionin e Pompave të Ujësjellësit të Shkodrës të kërcënuar nga vërshimet e ndjeshme të nivelit të ujërave, që kanë depërtuar në një pjesë të mjediseve.
Vendndodhja e Stacionit në një distancë jo shumë të largët nga Liqeni i Shkodrës ka qenë në vëmendje të Zëvendëskryeministrit e njëherazi kryetarit të Shtabit të Emergjencës Civile pranë Prefekturës së Shkodrës, i cili ka monitoruar nga afër punën e specialistëve duke dhënë vlerësimet maksimale për punën e tyre në mbrojtje të këtij objekti të rëndësisë së veçantë.
Zëvendëskryeministri Meta shoqërohej nga Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, drejtues dhe specialistë të Ujësjellësit të Shkodrës. Prej këtij Stacioni Pompimi, furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Shkodrës, madje edhe një pjesë e territorit të Lezhës.
Në një prononcim për median, Meta përgëzoi punonjësit e kësaj ndërmarrjeje për punën e mirë dhe sakrificat në përballimin e kërcënimit të vazhdueshëm të nivelit të lartë të ujit dhe në mbajtjen e objektit të padëmtuar.
"Dua të përgëzoj së tepërmi punonjësit e kësaj ndërmarrje, punonjësit e KESH-it, të Bashkisë, përfaqësuesit që kanë ardhur nga Ministria e Punëve Publike si dhe ata nga drejtoria e përgjithshme e ujësjellësit, për këtë punë heroike prej katër ditësh dhe katër netësh, për mbrojtjen e këtij Stacioni Pompimi duke garantuar furnizimin me ujë të pijshëm të Shkodrës, e njëkohësisht furnizimin me energji elektrike", tha Meta.
Mëngjesi i sotëm e gjeti Shkodrën pa reshje, por me ulje të ndjeshme të temperaturave. Gjatë natës reshjet e shiut vijuan të dendura në të gjithë territorin e qarkut të Shkodrës, përfshirë edhe qytetin, duke ndikuar në një përkeqësim të situatës. Në qytet zonat e përmbytjes kanë shënuar rritje të sipërfaqeve të tyre, ku më keq paraqitet lagja Xhabiaj, që shërben për qarkullimin e automjeteve me një drejtim në dalje nga qendra e qytetit, që tashmë komandohet vetëm nga mjetet lundruese. Në orët e vona të mesnatës, prezenca e ujit në këtë rrugë ka avancuar edhe më tepër drejt qendrës së qytetit.
Një situatë shumë e vështirë paraqitet dhe në brendësi të lagjes ku nga uji janë përmbytur shtëpi private njëkatëshe, si dhe katet e para të pallateve. Banorët e saj dhe të zonave që kufizohen me Liqenin e Shkodrës, si Tophana, Kirasi dhe Livadhet, si dhe Ajasëm, Draçin, Perash dhe Mark Lula në kufij me lumenjtë Drin dhe Kir, mund të komunikojnë me pjesën tjetër të qytetit vetem me mjete lundruese.
Strukturat e Shtabit të Emergjencës të prefekturës së Shkodrës në bashkëpunim me të bashkisë vazhdojnë në terren të ndihmojnë komunitetin me shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje.
Burime nga Shtabi i Emergjencës në prefekturën e Shkodrës, që kryesohet nga Zëvendëskryeministri Ilir Meta, bëjnë të ditur se operacionet e udhëhequr nga ministrat e planifikuar në secilën komunë të Nënshkodrës, kanë vijuar gjatë të gjithë natës me evakuimin e banorëve të tjerë të bllokuar nga prezenca e ujit.
Vemendja kryesore po tregohet në përforcimin e argjinaturave mbrojtëse të komunës Dajç, asaj të Velipojës, si dhe Torovicës. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.