Paraqitet në Romë libri kushtuar 150 vjetorit të gazetës vatikanase, ‘L’Osservatore
Romano”.
Një mesazh urimi nga Papa arriti mbrëmë në mbledhjen për paraqitjen e vëllimit, titulluar:
“Gazetë e pashoqe”, në sa përkujtohej 150-vjetori i “Osservatore Romano-s” Takimi
u mbajt në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, në praninë e Presidentit të
Republikës së Italisë, Xhorxhio Napolitano. Folën imzot Fernando Filoni, zevendës-sekretar
i Sekretarisë së Shtetit; kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor
të Kulturës; Nënsekretari i Presidencës së Këshillit, Xhani Letta dhe dy bashkëpunëtorët,
nën kujdesin e të cilëve u realizua libri: ambasadori Antonio Xanardi Landi dhe drejtori
aktual i ‘L’Osservatore Romano’, Xhan Maria Vian. Të pranishëm, shumë kardinaj
dhe disa përfaqësues të qeverisë italiane. Takimin e hapi imzot Fernando Filoni,
zëvendës-sekretar i Sekretarsisë së Shtetit të Vatikanit, i cili u përcolli të pranishëmve
edhe përshëndetjen e Papës për vëllimin, kushtuar “Gazetës së pashoqe”, siç e pati
quajtur kardinali Montini, Papa i ardhshëm Pali VI. Gazeta u botua së pari në
vitin 1861, me nismën e besimtarëve laikë të Papës, në çastin e prishjes me Shtetin
italian në fasha. Vite të vështira, deri në fazën e re, që nisi me Paktet Lateranense
të vitit 1929, kur ‘L’Osservatore Romano’ përcaktoi përfundimisht thirrjen e vet universale
, duke i braktisur thekset polemike të fillimit. Pastaj, Lufta e ftohtë ndërmjet
mbifuqive e çkolonizimi i botës. Më pas, edhe shekullarizmi. Vite me vlerë të ndryshme
historike, që gazeta vatikanase i tregon - siç thoshte kardinali Montini – në një
farë mase, nën vartësinë e Sekretarisë së Shetit. E i tregon me një thjeshtësi,
nga e cila, sipas Xhani Lettës, “duhet të marrë shembull e gjithë bota e informacionit”. Në
faqet e gazetës tregohet historia e Kishës, që kryen misionin e vet në gjirin e
botës – theksoi kardinali Ravazi.
Në kuadrin e Luftës së ftohtë, “Gazeta
e pashoqe”, nuk mund të mos i kushtonte vëmendje shtetit të vogël socialist, që u
vetëshpall i vetmi vend ateist në botë. Emri i Shqipërisë e i shqiptarëve lexohet
shpesh në faqet e gazetës, ku spikat meraku i papëve për ta, përshkruhet historia
e përgjakshme e Kishës Katolike, spikasin figurat e ndritura të dëshmitarëve të fesë,
modele për mbarë Kishën universale.Do të mund të botohej një vëllim i veçantë me titullin
“L’Osservatore Romano – Shqipëria e shqiptarët në faqet e gazetës”, që sigurisht do
të ndihmonte për ta parë historinë e Shqipërisë e të Kosovës, në këndvështrimin
e kësaj “Gazete të pashoqe”.