2010-12-05 14:59:03

Ndikimi i kardinalit Racinger në rishikimin e sistemit penal kanonik


Që kardinali Racinger, si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në rinovimin e disiplinës penale të Kishës, është diçka që dihet. Me kontributin e tij, zbatimi i ligjeve të kësaj fushe u bë më i shpejtë dhe më efikas kundrejt atyre meshtarëve, fajtorë për sjellje të rënda e shkandulluese. Por tani, kjo veprimtari e Papës aktual, në kohën kur ishte akoma kardinal, dëshmohet nga dokumenta të panjohura, botuar në një artikull të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” më 2 dhjetor dhe, më gjerësisht në revistën e jezuitëve “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi katolik) dje, më 4 dhjetor. Artikulli nënshkruhet nga sekretari i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, imzot Arrieta.
Është shkëmbim letrash, në vitin 1998, ndërmjet kardinalit të atëhershëm Jozef Racinger dhe presidentit të atëhershëm të Komisionit Papnor për Interpretimin autentik të Kodit të ri të së Drejtës Kanonike, kardinalit Kastiljo Lara. Që atëherë, Papa Benedikti XVI kërkonte ndryshimin e normave për “fajet më të rënda”, kërkesë që, për motive, të cilat shpjegohen nga imzot Arrieta, nuk u mor menjëherë parasysh. Megjithatë, nisma të tjera në vazhdim sollën shtrirjen e kompetencave të Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi “fajet më të rënda” (përfshirë shpërdorimet seksuale me të miturit). Kështu, në vitin 2001 e më pas në formë të azhornuar, në vitin 2010, u përgatitën dhe u bënë ligj normat që rregullonin sjelljen e Kishës ndaj atyre anëtarëve të klerit, që kishin bërë faje të rënda.
Gjithnjë me iniciativën e kardinalit të atëhershëm Racinger, i cili ishte relator i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, në vitin 1997, iu kërkuan Papës Gjon Pali II “funksione të veçanta”, që Kongregata të ndërhynte më shpejt në situata të caktuara penale.
Imzot Arrieta përfundon, duke theksuar se veprimtaria e vendosur për rinovimin e disiplinës penale, për të mirën e drejtësisë dhe për mbrojtjen e besimtarëve në Kishë, ka karakterizuar gjithnjë punën e Jozef Racinger. Pra, nuk është aspak e çuditshme, që, si Papë, në vitin 2007, i dha mandatin Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative të reformonte pjesën e Kodit të së Drejtës Kanonike të 1983-shit, që i kushtohej sistemit penal të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.