2010-12-05 15:00:21

Atë Federiko Lombardi: Për jetën që lind!


Koha e Ardhjes na çon drejt gëzimit të lindjes së Foshnjes Hyjnore e na bën të kujtojmë çdo fëmijë, që lind për ta mbushur me dritë shtëpinë e me hare zemrat e prindërve e të të afërmve. Edhe Papa foli për këtë gjatë javës së kaluar e fëmijës që lind i kushtohet editoriali javor i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Të lutemi e të impenjohemi në favor të jetës që lind. Është ftesa e Papës në prag të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, kohë pritjeje e kthimi zemrash, kohë përgatitjeje për të kremtuar edhe një herë ngjarjen e jashtëzakonshme të lindjes së Birit të Zotit në mesin tonë. Zot, që mishërohet në kraharorin e një nëne, Zot fëmijë, Zot i afërt. Si të na e thoshte me më forcë se kaq se dinjiteti ynë është tejet i lartë? Se duhet të duhemi e të respektohemi, që kur jemi në bark të nënës?
Nuk jemi kurrë thjesht “një grumbull materiali biologjik”. Kemi qenë gjithnjë, që nga fillimi, një projekt konkret, që zhvillohet drejt inteligjencës, lirisë dhe dashurisë, i hapur për të vërtetën, për të bukurën, për të mirën, për amshimin. Një projekt, që nga ana e tij, nuk mund të mos lindë nga një burim misteriozisht i madh, i aftë t’i japë zanafillën e ta thërrasë në marrëdhënie konkrete dashurie.
Buzëqeshja e fëmijëve, që kur vijnë në dritë, na bën ta kuptojmë këtë. Buzëqeshje që ngjitet, që na fton të duam e të falenderojmë, duke u mrekulluar për atë dhuratë më të madhe se ne vetë.
Benedikti XVI denoncon: “Fatkeqësisht, edhe pas lindjes, jeta e fëmijëve vazhdon të kërcënohet nga braktisja, uria, mjerimi, sëmundja, shpërdorimet, dhuna, shfrytëzimi”, prandaj u bën thirrje të gjithëve të jenë të përgjegjshëm: “Respektoje, mbroje, duaje dhe shërbeji jetës, çdo jete njerëzore!”
Ç’botë gjen Jezusi që lind? Ç’botë përgatisim për fëmijët tanë? Duhet ta duam jetën, që çdo fëmijë të falenderojë për ardhjen e tij në këtë botë e të mësojë ta dojë jetën e vet, të dojë të tjerët….e Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.