2010-12-04 12:23:00

“Drejt Krishtlindjes:shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua botës”: Nëntëditëshi i Krishtlindjes.


Kujtuam, në meditimim e së premtes, dy udhët kryesore, që përshkon njeriu gjatë Kohës së Ardhjes, pritjen e dyfishtë: të ardhjes së Birit të Zotit ndërmjet nesh e të Ardhjes së dytë e përfundimtare të Jezusit.
Në liturgjinë e tri të dielave të para e në ditët e pushimit, deri më 16 dhjetor, theksohet me forcë tema e Ardhjes së dytë të Jezusit, në fundin e kohëve. Ndërsa ndërmjet 17 e 24 dhjetorit, kujtohen çdo ditë skena, ngjarje e profeci, që na çojnë drejt Shpellës së Betlehemit, drejt kremtimit të ditëlindjes së Birit të Zotit, që përkujtohet sidomos nëntë ditë para Solemnitetit.
Nëntëditshi i Krishtlindjes kremtohet në periudhën e dytë të Kohës së Ardhjes.
Kujtojmë se takimet e bashkësisë së krishterë nëntë ditë me radhë para Festës, kanë karakter thellësisht popullor e festohen krahas liturgjisë zyrtare.
Shprehje e përshpirtërisë së popullit, vijnë nga Mesjeta e largët, për të përforcuar fenë e devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, Virgjërës Mari e Shenjtorëve.
Kjo traditë lindi në kohët kur bashkësia e krishterë ishte larg burimeve të Biblës e të liturgjisë, ose kur këto burime ishin të ndaluara e populli shtegtonte si në shkretëtirë, plot etje, në pritje të ujit të gjallë. Shtegtim, që vijon edhe në kohët moderne, në të cilat populli i Zotit përpiqet ta ruajë të pacënuar traditën e vet, e, pa harruar përmasën kishtare, merr pjesë nëntë ditë me radhë në kremtimet prekëse tradicionale, shoqëruar kryesisht me muzikë gregoriane. Kremton me besimin e sigurt se shpresa nuk të zhgënjen, vetëm atëhere kur pranohet me gjithë zemër. Atëherë prania e Zotit lëshon mbi hijen e ftohtë të dimrit të shpirtit, rrezet e Diellit, në pritje të Ditës së madhe të kthimit të parë e të fundmë. E populli vijon udhën drejt Krishtlindjes, i bindur se nuk sos me krye në shkëmb, shteg pa shteg.







All the contents on this site are copyrighted ©.