2010-12-04 17:22:28

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Si kremtohet sot Koha e Ardhjes.


(04.12.2010)Duke ecur në gjurmët e breznive që na paraprinë që prej dymijë vjetësh, arrijmë në ditët e fundit të Vitit 2010. Si kremtohet sot kjo kohë e fortë shpirtërore?
Koha e Ardhjes nis me Lutjet e para mbrëmësore të së dielës, e cila është më pranë datës 30 nëntor, e përfundon me Lutjet e para mbrëmësore të Krishrtlindjes. Kremtohet çdo të dielë, por edhe çdo ditë me shpalljen e Fjalës së Zotit.
Të dielave, faqja ungjillore na kujton ardhjen e Jezusit në mbarim të kohëve (E diela I), misionin e Shën Gjon Pagëzuesit (E diela II-III) e ngjarjet para Lindjes së Krishtit (E diela IV).
Leximet biblike janë sidomos profeci mbi Mesinë e kohën mesianike, të shkëputura kryesisht nga Izaia Profet. Paralajmëron Profeti: “Atë ditë një filiz do të shpërthejë në trung të Jeses: një pinjoll do të mugullojë nga rrënjët e tija. Mbi të do të të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i dijes e i kuptimit, shpirti i këshillit e i qëndresës, shpirti i njohjes e i frikës së Zotit.... Nuk do të gjykojë sipas dukjes e s’do të marrë vendime sipas fjalëve që ka dëgjuar; por do t’i gjykojë me drejtësi të varfërit e do të marrë vendime të drejta, për ata që janë të shtypur nga banorët e vendit. Fjala e tij do të jetë porsi shkop, që do ta godasë njeriun e pashpirt: fryma e buzëve të tija do ta mbytë të mbrapshtin. Brezi i shtatit të tij do të jetë drejtësia, rrypi i ijeve të tija do të jetë besnikëria....”.E kështu, nga e diela në të dielë, deri në të Dielën e madhe të Krishtlindjes, kur rrezet e Kometës shtangohen mbi një Shpellë të vogël, në muzgun e ngrirë të 24 dhjetorit. E na lëshojnë në duar amshimin!







All the contents on this site are copyrighted ©.