2010-12-04 09:47:47

Shenjtorët e javës 5 – 12 dhjetor


Sot 5 dhjetor,Kisha kremton te dielen e II te Ardhjes, Ungjilli na paraqet figurën e shën Gjon Pagëzuesit, i cili na shoqëron gjatë gjithë Kohës së Ardhjes. Mesazhi i tij na shtyn drejt veprave të bamirësisë, na shtyn të mos kënaqemi me sa shohim në sipërfaqen e gjërave, por të shkojmë më thellë, pasi Zoti lexon në zemrat tona.
Nesër, 6 dhjetor, Kisha Katolike kremton festën e shën Nikollës, Shën Azelës e të shën Obicios. Liturgjia e ditës na fton ta pranojmë Zotin, që vjen të na çlirojë nga mëkati, i cili na e ndrydh shpirtin. Hyji ynë vjen të na shpëtojë! Edhe ne, bij të këtij shekulli, që ka harruar mrekullitë e Perëndisë, nëse e hapim zemrën, mund të shohim gjëra të jashtëzakonshme.

Të martën, më 7 dhjetor, kujtohet shën Ambrozi, ipeshkëv e doktor i Kishës. Liturgjia na thotë se Zoti vjen me gjithë fuqinë e vet e nuk gjen paqe derisa, me dashurinë e vet, të mos e kthejë në rrugë të drejtë atë që gabon. Ky është gëzimi i Tij më i madh. Kështu duhet të jenë të gjithë barinjtë e Kishës. Shën Ambrozi është shembull për këtë, pasi diti t’i fitojë zemrën shën Augustinit. Po këtë ditë kujtohet edhe shën Maria Roselo.

E mërkura është ditë e madhe për Kishën Katolike, më 8 dhjetor kremtohet festa e Zojës së Papërlyer. Këndojini Zotit një këngë të re, thotë psalmi i kësaj dite, sepse ka bërë mrekulli.
Zoti është i mëshirshëm e i madh në dashuri. Të enjten, më 9 dhjetor, bie festa e shën Sirit dhe e shën Gorgonës. Liturgjia na kujton sërish shën Gjon Pagëzuesin, figura e të cilit është kulmi i krejt historisë së shëlbimit, që ka ndodhur para tij. Ai e ndan kohën më dysh: nga ai moment, fillon koha mesianike.

Të premten, më 10 dhjetor, Kisha Katolike feston Zojën e Loretos, por edhe shën Eulalien e shën Gregorin III. Kush të ndjek o Zot, do të ketë dritën e jetës, thotë psalmi. Pandjeshmëria dhe indiferenca: ja rreziku më i madh, që mund ta kërcënojë këtë kohë pritjeje. T’ia hapim zemrën pra, fjalës së shën Gjon Pagëzuesit, i cili paralajmëron ardhjen e Hyjit.

Bëj të shkëlqejë Fytyra jote o Zot, e ne do të shpëtojmë. Të shtunën, më 11 dhjetor, kremtohet festa e shën Damazit I papë, shën Daniel Stilitës dhe e shën Sabinit. Ungjilli na vë përpara vuajtjen e Krishtit, kur refuzohet nga ata që nuk e duan e nuk e presin.

Më 12 dhjetor bie e diela III e Ardhjes. Ndizet qiriri i tretë në pritjen e Lindjes së Krishtit. Njëkohësisht kremtohet Zoja e Guadalupes. Kisha na fton të bëjmë gjeste solidariteti, sado të vogla.







All the contents on this site are copyrighted ©.